Bllokojnë rrugët 1 orë! Basha: Nuk do lejojmë votimin në asnjë qendër! Opozita nuk klonohet

25 Prill 2019, 21:44

PD, LSI dhe aleatët që tashmë ndodhen jashtë parlamentit dhe kanë bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit 2019, nisën pasditen e kësaj të enjteje protestat antiqeveritare me bllokimin e 5 akseve kryesore rrugore që lidhin jugun dhe Veriun me kryeqytetin. Për një orë u bllokuan pikat kryesore në Elbasan tek rrethrrotullimi i Bradasheshit, në Fier tek rrethrrotullimi i Sheqit, tek Plepat në Durrës dhe tek ish-sheshi Shqiponja në Tiranë, ndërsa ky aksion opozitar i quajtur mosbindje civile u shoqërua me revoltën e përdoruesve të rrugës, shoferëve të shumtë që mbetën të bllokuar. Revoltën e shprehën përmes ndezjes së tymueseve ndërsa pati edhe militantë të irrituar.

Në zonën e Doganës së Tiranës disa protestues i morën me forcë çelësin nga makina duke ja hedhur në rrugë, ndërkohë në Elbasan disa protestues i vunë flakën gomave. Protestuesit po ashtu i kanë vënë zjarrin edhe kantierit të ndërtimit në sheshin “Shqiponja”.

Kryetari i Partisë Demokratike zgjodhi Milotin krah simpatizantëve, dhe pas një orëve bllokimi të rrugës, dha edhe mesazhet politike. Basha shprehu edhe një herë vendosëmrinë për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve, teksa artikuloi në mënyrë të drejtpërdrejtë se do të bllokohen të gjitha qendrat e votimit në mënyrë që qytetarët të mos votojnë. Ai tha se opozita nuk mund të klonohet nga përfaqësia e re në Kuvend. Ndërkohë, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ishte në zonën e Plepave në Durrës, prej nga tha se kryeministri duhet të largohet sa është në kohë për t'i hapur rrugë një procesi të lirë zgjedhor. 

Ky është një skenar i përsëritur nga opozita, pasi edhe më parë ka bllokuar rrugët si shenjë e mosbindjes civile, ndërsa në 11 maj do të jetë protesta kombëtare para Kryeministrisë.

Edhe tani, një vit më pas, opozita vijon që të kërkojë largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. PD dhe LSI kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve lokale, ndërsa nuk u regjistruan në KQZ.