Blofi i Bashës, ‘sekuestrimi i pasurive’ u miratua që në 2014

25 Shtator 2018, 12:43

Platforma e shpallur ditën e djeshme nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për konfiskimit e pasurive të personave publikë, të përfshirë në afera me tendera dhe koncesione, është adresuar dhe reflektuar në një ligj të miratuar që në vitin 2014 nga Parlamenti Shqiptar.

Konkretisht, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme të zyrtarëve të të gjithë nivele në Shqipëri është vendosur me ligjin nr. 24/2014, i cili bëri disa ndryshime të rëndësishme në ligjin nr. 10 192, datë 3.12.2009, i njohur ndryshe si ligji anti-mafia.

Deri në mars të vitit 2014, ligji parashikonte vetëm sekuestrimin e pasurive produkt i trafiqeve, grupeve kriminale, organizatave terroriste, grupeve të armatosurave, gjobëvënësve etj. Me ligjin e 2014, në fushën e veprimit të ligjit anti-mafia, u përfshinë të gjitha veprat penale të formave të korrupsionit, duke futur në fushën e veprimit të ligjit anti-mafia të gjithë funksionarët dhe zyrtarët shqiptarë, të të gjitha niveleve.

Veprat penale

Shqiptarja.com publikon të gjitha veprat penale të përfshirë në fushën e veprimit të ligjit anti-mafia, ku zyrtarëve që i kanë kryer apo i kryejnë këto vepra penale, u konfiskohet pasuria.

Në vitin 2014, si objekt i ligjit anti-mafia janë përfshirë korrupsioni aktiv në sektorin privat, parashikuar në nenin 164/a të Kodit Penal, korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, parashikuar në nenin 244 të Kodit Penal, korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë, parashikuar në nenin 244/a të Kodit Penal, korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, parashikuar në nenin 245 të Kodit Penal, korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal, korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit, parashikuar në nenin 312 të Kodit Penal, korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të organeve të drejtësisë, parashikuar në nenin 319 të Kodit Penal si dhe korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, parashikuar në nenin 319/ç të Kodit Penal. Ndryshimi i rëndësishëm erdhi për shkak të presionit në rritje të SHBA-BE, për të ashpërsuar luftën kundër korrupsionit. Ndërkaq, për zbatimin në mënyrë sa më afektive dhe serioze të ligjit anti-mafia janë projektuar Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata Speciale, ku të gjitha së bashku përbëjnë atë që quhet SPAK.