REPORT TV zbulon se deputeti Ylli Shehu që pranoi që të merrte mandatin nga listat e LSI-së nuk ka deklaruar një dënim. Dënimi me gjobë që ka marrë në 2008 nuk i rrezikon mandatin deputetit, por fshehja e tij po. Por për cfarë është dënuar deputeti? Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë në vitin 2008 e ka dënuar me 600 mijë lekë për dy vepra penale, falsifikim dhe kontrabandë.
Ylli Shehu u akuzua se në vitin 2003 kishte futur nga Greqia në Shqipëri automjetin BMW X5 pa paguar detyrimin e saktë doganor. Shehu, mjetin e tij BMW X5 me Nr.shasie WBAFA71050LN18681 kishte dashur ta targonte duke iu shmangur detyrimit doganor dhe për këtë ai kishte paraqitur në degën e Doganës Korcë dokumente zhdoganimi të cilat nuk paraqesnin realitetin, pasi pasqyronin një mjet BMW AG, me vit prodhimi 1989, dhe jo mjetin real BMW X5, prodhim te vitit 2001.
Nëpërmjet këtij veprimi Ylli Shehu kishte mundur të shmangej nga detyrimi doganor në shumën 1.119.109 lekë duke paguar vetëm shumën prej 154.421 lekë. Këtë vendim ai nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit të dekriminalizimit.
Deputeti Ylli Shehu rezulton i dënuar për kontrabandë mallrash edhe nga Gjykata e Tiranës në vitin 2007. Dënimin nga gjykata e Tiranës ai e ka pasqyruar në formularin e tij, por të Korçës, jo dhe mund ti kushtojë mandatin e deputetit. Theksojmë se Ylli Shehu është verifikuar njëherë nga prokuroria në mandatin e parë si deputet, 2013-2017. Ylli Shehu u betua si deputet në Kuvendin e Shqipërisë në datë 5 mars.