Boçi: 'Sami Frashërit' duhet t'i vihej shiriti i krimit! Kush mban përgjegjësi për rikonstruksionin

23 Dhjetor 2019, 14:33

TIRANE- Ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi ishte ditën e sotme në ambientet e gjimnazit Sami Frashëri e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit, ku akuzoi pushtetin lokal dhe atë qendror se kanë braktisur nxënësit e saj. Boçi tha se shkollës i është vënë dryni kur në fakt duhet t'i ishte vënë shiriti i krimit, ndërsa bëri përgjegjës për dëmtimin e saj, firmën që ka marrë përsipër rikonstruksionin e bërë një vit më parë.

"Situatën ju e shihni vetë. Nxënësit në shkollën Samit Frashëri janë braktisur. Nuk ka një inspektim të plotë të dëmeve. Shkollës i është vënë dryni kur në fakt duhet t'i ishte vënë shiriti i krimit. Kjo shkollë është rikonstruktuar një vit më parë. Mungon dhe transparenca për të gjitha dokumentet që duhet të paraqesë Bashkia e Tiranës. Ju e pasqyroni, fasada e propagandës nuk mund të mbulohet. Nuk e mbulon as Rama, as Veliaj që fshihet pas propagandës kur duhet të ishte këtu për të thënë se kush mban përgjegjësi për shkollat e dëmtuara dhe si u procedua për të nxjerrë firmën fituese që bëri rikonstruksionin dhe a mban bashkia përgjegjësi për situatën në këtë shkollë dhe shkolla të tjera. Boll me propagandë. Përgjegjësitë t'i mbajnë ata që kanë kryer këtë krim", u shpreh Boçi.