Boçi: Vetoja bullgare nuk është arsyeja që nuk hapen negociatat! Shkaqet janë shpopullimi masiv, korrupsioni, vjedhja e pasurive publike dhe zgjedhjet e manipuluara

24 Qershor 2022, 16:49

Nënshkryetari i PD, Luciano Boçi ka reaguar për vendimin e parlamentit bullgar që pranoi propozimin e Francës për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut. Boçi thekson kërkesën e faljes për kombin bullgar duke theksuar se kryeministri Rama përdori gjuhë fyese.

“Në emër të Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar, përshëndes parlamentin bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut. Ky është një hap i parë kyç në zhbllokimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut në Bashkimin Europian.  Ritheksojmë faljen, që i kërkoi sot Kryetari i Partisë Demokratike kombit bullgar, për gjuhën prej fyesi serial të kryeministrit Rama. Duke shtuar këtu se, heqja e vetos do ta rifusë procesin e integrimit në shinat e vërteta, ato të meritokracisë”, tha Boçi.

Ndër të tjera, thotë se PD beson se nuk është vetoja bullgare arsyeja e moshapjes së negociatave, por një radhë shkaqesh të tjera.

“Shpopullimi masiv i vendit, që ka derdhur në dyert e Europës më shumë shqiptarë se sa banorë të zonave të luftës në Afrikë dhe Lindje të Mesme; 

-Korrupsioni me shokët ministra dhe shokët e ministrave, një pjesë në kërkim kombëtar e ndërkombëtar;

 -Përfshirja në vjedhje të pasurive publike, në trafik droge, dhe dhënia e statusit të investitorit strategjik të familjarëve të ministrave. 

-Njolla e zgjedhjeve të manipuluara, që e kemi parë në kaq shumë përgjime e raporte.

 -Kur thotë se Europa është më e sëmurë se Putini, ne i kujtojmë zotërisë në fjalë se Shqipëria, nën keqqeverisjen e tij, është kthyer në të ‘sëmurën e Europës’” – tha Boçi.