‘Bojkoti do të vijojë’, Liga vret shpresat e tifozëve për futboll në fundjavë! Libohova: Qeveria me qasje kontroverse

19 Tetor 2020, 14:56

Shpresat e tifozëve për të parë futboll shqiptar në fundjavë janë venitur. Ndryshe nga çfarë pritej, mbledhja e sotme e Ligës Profesioniste ka konfirmuar vijim e bojkotit. Presidenti i Ligës Edvin Libohova thotë se qeveria po mban qëndrim kontradiktore dhe pa plotësimin e katër kërkesave financiare nuk ka futboll.

“Liga vendosi që bojkoti të vazhdojë deri sa qeveria të plotësojë kërkesat tona,”-u shpreh ai.

Gjithsesi ka pak shpresë se situata mund të ndryshojë të martën, ditë kur Liga Profesioniste do të zhvillojë takimin e dytë me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, të cilët do të bëjnë propozimet e tyre për katër pikat.

“Nesër kemi takim dhe presim të kemi një propozim për të zgjidhur këtë çështje. 10 klube duan që të mos fillojë dhe asnjë nuk do të fillojë pa u plotësuar kërkesat,”-deaklaroi ai.

Ndërkohë presidenti i FSHF-së Armando Duka, i cili sot ishte në Universitetin e Sporteve ku së bashku me rektorin Agron Kasa, diskutuan për disa bashkpunime, tha se futbolli këtë sezon do të luhet, por qeveria sipas tij në asnjë rast nuk e ka patur prioritet sportin.

“Patjetër që do të luhet. Politika në Shqipëri nuk ka pasur prioritet asnjë lloj sporti, nuk ka pasur strategji, nuk ka politika të mirëfillta, vetëm ka shfrytëzuar ndonjë rezultat të arritur,”-tha Duka.