Bonus i qirasë për qytetarët e prekur nga tërmeti, ja dokumentet që duhet të keni për të aplikuar

4 Dhjetor 2019, 17:40

Çdo familje e prekur nga tërmeti i datës 26 nëntor, shtëpia e të cilës është shpallur e pabanueshme, do të strehohet në një banesë të re, me qira të paguar për një vit nga Bashkia e Tiranës. Dhjetëra familje me banesa të dëmtuara i janë drejtuar njësive përkatëse administrative për të aplikuar për përfitimin e pagesës së qirasë mujore, e cila mbulohet në masën 100% nga Bashkia e Tiranës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ndoqi procesin e aplikimit të qytetarëve në Njësinë 4 në Tiranë, e cila është një nga dy njësitë më të prekura nga dëmet e tërmetit. Ai theksoi se dëmet janë në pallatet e ndërtuara me punë vullnetare para viteve ‘90 ose në pallatet e reja, ku ish-komunat kanë dhënë leje ndërtimi jashtë çdo kriteri ligjor.

“Janë dy njësi të prekura shumë: Njësia 4 dhe 6. Dëmet janë në grupe pallatesh, që siç thonë edhe banorët, i kanë ndërtuar vetë. Në rastin e Tiranës së vjetër kemi dy masive pallatesh të ndërtuara kryesisht nga vetë banorët, jo në mënyrë profesioniste, por me punë vullnetare, janë pallate silikate, parafabrikate, të cilët u bënë pronarë në vitin ‘93. Kurse me pallatet e reja kemi pasur probleme vetëm në zonën e Yzberishtit, të cilët janë ndërtuar në kohën kur drejtohej nga ish-komuna, me leje të dhëna nga ish-komuna, ku e ftojmë Prokurorinë ta hapë krahun sa të mundet”, deklaroi Veliaj.

Ai bëri të ditur se për t’u ardhur në ndihmë banorëve, Bashkia e Tiranës ka lehtësuar në maksimum të gjitha procedurat, në mënyrë që qytetarët të përfitojnë qira banese deri në zgjidhjen e çështjes së strehimit.