Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi dhe anëtari i kryesisë së PD-së Oerd Bylykbashi i janë përgjigjur thirrjes së Prezencës së OSBE-së për zgjedhjet lokale, duke shprehur bindjen se ky proces është thjesht kalimtar në kushtet e shitblerjes së votës nga bandat e krimit.
Pas një takimi me qytetarët e Shkodrës, Monika Kryemadhi u shpreh se nuk mund të ketë garë pa garantuar më parë zgjedhjet e lira e të ndershme.
"Nuk mund të kesh zgjedhje vendore kur ka një deformim dhe shitblerje të votës përmes grupeve kriminale dhe parave të grupeve kriminale. Zgjedhjet nuk janë gjë tjetër veçse çështje teknike shumë kalimtare. Nëse ne nuk do kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme do të jetë totalisht e pamundur", u shpreh Monika Kryemadhi.
Ndërkohë lidhur me këtë deklaratë e Borchardt reagoi edhe anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi. Ai shprehu të njëjtën qëndrim me kryetaren e LSI duke thënë se të fitosh zgjedhjet me bandat e kriminelëve dhe 19 prej tyre t'i bësh deputetë është shembull i keq për rajonin.
"Të fitosh zgjedhjet me bandat e kriminelëve dhe 19 prej tyre t'i bësh deputetë, më pas kriminelët përdhunues vrasës e trafikantë t'i bësh kryetarë bashkish që të kontrollojnë territorin dhe zgjedhjet, ky është shembull i keq për rajonin.
Të mbjellësh me drogë të gjithë Shqipërinë, të përmbytesh me drogë Europën, të shndërrosh vendin në lavatriçe të parasë së drogës, ky është shembull i keq për rajonin.
Të kriminalizosh politikën me paranë e drogës, korrupsionit dhe oligarkisë, të blesh zgjedhjet dhe të kthesh shtetin në parti, duke bërë presion mbi administratën dhe abuzuar me shtetin për të fituar zgjedhjet, ky është shembull i keq për rajonin.
Të kesh prova tëregjistruara për shitblerje vote dhe të pengosh hetimet me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, që e ke vënë me votat e tua, ky është shembull i keq për rajonin. Të zhvatesh çdo para dhe pronë publike për t'ia dhënë oligarkëve që të financojnë, ky është shembull i keq për rajonin. Të kapësh sistemin e drejtësisë duke deformuar dhe korruptuar reformën në drejtësi, që të emërosh ushtarët e tu në organet e drejtesisë që, më vonë të të mbrojnë kundër hetimit penal për zullumet e tua, ky është shembull i tmerrshëm për rajonin.
Të mos reagosh, të mos thuash gjysëm fjale për të gjitha këto, të mjaftohesh vetëm me përmbledhje ekzekutive raportesh dhe të relativizosh problemet e rënda, është nje shembull i keq për të gjithë. Të reagosh duke e refuzuar këtë sistem të kalbur dhe të dalësh në protestë për të kërkuar zgjedhje të lira e të ndershme, ky është një precedent që i bën mirë rajonit, sepse i tregon kujtdo që kërkon të bëhet kryeminister, se çfarë ndodh, nëse qeveris si Edi Rama", shkruan Bylykbashi.
Gjatë fjalës së tij Borchardt deklaroi se OSBE nuk nxit bojkot zgjedhor dhe i bëri thirje partive të sjellin listat e kandidatëve. Ai tha se nuk parashikojmë që opozita do të bojkotojë zgjedhjet, ndërsa e quajti një shembull të keq për rajonin djegien e mandateve.