Borrell: BE-ja nuk e njeh Lukashenkon si president legjitim të Bjellorusisë

16 Shtator 2020, 11:50

Bashkimi Europian ka thënë se nuk e njeh liderin e sfiduar, Aleksandër Lukashenkon, si president legjitim të Bjellorusisë, ka thënë shefi për diplomaci i bllokut evropian, Josep Borrell.

Ai theksoi se zgjedhjet e 9 gushtit, që i kanë zgjatur pushtetin presidentit bjellorus, kanë qenë joligjore.

Opozita ruse, e udhëhequr nga Svyatlana Tsikhanouskaya, akuzon Lukashenkon për mashtrime me vota në procesin zgjedhor, që i ka siguruar atij një mandat të gjashtë presidencial.

Prej publikimit të rezultatit zgjedhor, mijëra persona janë ndaluar dhe goditur nga zyrtarët policorë, derisa gati të gjitha liderët opozitarë janë larguar me forcë nga shteti ose janë arrestuar nga autoritetet.

Shtypja e protestave është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Situata është e qartë për ne. Ne i konsiderojmë zgjedhjet e 9 gushtit si joligjore”, u ka thënë Borrell ligjvënësve në Parlamentin Europian

“Ne nuk e njohim Lukashenkon si president legjitim të Bjellorusisë”.

Ai deklaroi gjithashtu se deri më tani janë ndaluar rreth 7,500 protestues paqësorë, si dhe janë raportuar rreth 500 raste të torturës.

Blloku evropian me 27 anëtarë është duke përgatitur sanksione kundër personave përgjegjës për mashtrime zgjedhore dhe shtypje të protestave.