Borxhet/ FIFA bllokon merkaton e Flamurtarit dhe Luftëtarit, Idrizi: Nuk kam dijeni, do vazhdojmë goditjet

13 Janar 2020, 20:47

Flamurtari dhe Luftëtari, dy klubet e Superligës, janë dënuar nga FIFA me bllokimin e merkatos. Lajmi bëhet i ditur për ‘Report TV’ nga burime brenda federatës të cilat gjtihashtu saktësojnë se për vendimin e FIFA-s janë vënë në dijeni edhe klubet.

Arsyet përse ka ardhur kjo masë ekstreme ndaj klubeve është problemet e trashëguara vit pas viti si dhe kontratat e pashlyera të futbollistëve. Konkretisht me tre sesione merkatoje është dënuar klubi i Flamurtarit, ndërsa me një klubi i Luftëtarit.

I kontaktuar nga ‘Report TV’, presidenti i klubit të Flamurtarit Sinan Idrizi, e ka mohuar lajmin, duke thënë: ‘Ne nuk kemi asnjë njoftim për këtë. Po punojmë për përforcimin e skuadrës. Aktualisht klubi i Flamurtarit ka firmosur me tre lojtarë në merkaton e janarit, ndërsa pesë të tjera janë në provë.’

Gjithsesi gjasat të shumta që lajmi është i vërtetë dhe në këtë mënyrë tronditen nga themelet të dy klubet, të cilat ndajnë respektivisht në renditje vendin e fundit dhe të parafundit. Me këtë vendim të FIFA-s objektivi mbijetesë për dy klubet shkon në kufijtë e të pamundurës, pasi kanë një diferencë të konsiderueshme me ekipet e tjera.

Kjo nuk është hera e parë që FIFA bllokon merkaton e një klubi shqiptar. Më herët e ka pësuar edhe Tirana pikërisht në sezonin që klubi zbriti nga kategoria.