Bota shënon Ditën e AIDS-it, në kohën e pandemisë së koronavirusit

1 Dhjetor 2020, 14:22

Në një kohë kur bota po përballet me një nga pandemitë më të vështira në historinë e njerëzimit, sot shënon edhe dita Ndërkombëtare kundër AIDS-it.

Drejtorja ekzekutive e Programit të Kombeve të Bashkuara për HIV dhe AIDS, Ëinnie Byanyima, ka thënë se njerëzit duhet të kujtojnë përvojën me viruset ndaj të cilave nuk ka imunitet njeriu, siç është HIV, teksa shpresojnë në gjetjen e shpejtë të vaksinave kundër koronavirusit dhe të “sigurojnë se ato nuk do të jenë privilegje të personave të pasur.

yanyima ka thënë përmes një deklarate se bota duhet të mësojë nga gabimet e përgjigjes ndaj HIV-it “kur miliona persona në shtetet në zhvillim, kanë vdekur duke pritur për trajtim”.

Ajo ka shtuar se pandemia e shkaktuar nga COVID-19, është duke zgjeruar pabarazitë që tashmë ekzistojnë dhe po përcënojnë progresin që është bërë në shëndetësi dhe zhvillim në 20 vjetët e fundit, duke përfshirë edhe përparimin e bërë për HIV.

Ky program ka paralajmëruar se pengesat që janë krijuar në shërbimet shëndetësore si pasojë e pandemisë së koronavirusit, mund të rezultojnë me 293,000 infektime me HIV dhe rreth 148,000 vdekje të lidhura me AIDS-in deri më 2022.

Vitin e kaluar, 12 milionë persona që jetojnë me virusin HIV, nuk kanë pasur qasje në ilaçe, sipas raportit vjetor të këtij programi. Aktualisht, më shumë se 38 milionë persona në gjithë botën janë të infektuar me HIV.