Brahimaj: Tejkaluam planin paraprak! Hidrokarburet patën rritje të ardhurash dhe ulje të deklarimit të TVSH-së

6 Shtator 2019, 20:42

Drejtoresha e  Përgjithshme e Tatimeve Delina Brahimaj ishte në studion e Report Tv për të folur lidhur me aksionin anti-informalitet. Brahimaj tha se përqendrimi në fushën e hidrokarbureve përgjatë këtij aksioni erdhi pasi ky sektor pavarësisht shtimit të të ardhurave ka sjellë ulje të ndjeshme të deklarimit të tyre.

Ajo tha se plani paraprak i këtij aksioni u tejkalua.

"Ky aksion nisi pasi u evidentuan disa pika të cilat operonin jashtë rregullave. Në regjim manual jo në regjim automatik. Gjithsej janë kryer 703 kontrolle në karburante. Gjatë muajit gusht kemi bërë analiza të thelluara në këtë sektor. Informaliteti është një problem që e ka prekur ekonominë shqiptare prej shumë vitesh. Ne kemi dashur të përqendrohemi në ato subjekte që figurojnë me risk. Ne nuk shkojmë kudo po aty ku ne mendojmë se ka shumë informalitet. Kemi konstatuar 40% të subjekteve me shkelje por kjo nuk do të thotë se ka 40% informalitet.

Gjatë muajit gusht plani ynë u realizua dhe u tejkalua. Rezultati i tatimit mbi vlerën e shtuar ka pasur një rezultat shumë të lartë. Paketa fiskale është bërë 8% duke nxitur deklarimin. Masat tona do të normalizojnë situatën

Kemi bërë një analizë të atyre sektorëve që ngadalësojnë deklarimin e TVSH-së. Sektori i hidrokarbureve ka pasur rritje të eksportit duke sjellë rritje të turizmit. Rënia deklarimit të tyre na ka nxitur të ushtrojmë kontrolle. Plani jonë është ndërlidhur me disa institucione. Kemi bashkëpunuar në mënyrë që aksioni të jepte këto efekte. Sektori i hidrokarbureve na ka rezultuar me rënie të deklarimit të TVSH-së gjë të cilën nuk e justifikojnë të ardhurat e ardhura prej saj", tha Brahimaj.

  •