Brazil, vidhen 750 kilogram ar në aeroportin Guarulhos në Sao Paulo

26 Korrik 2019, 10:57

Tetë burra të armatosur të veshur si policë vodhën rreth 750 kilogramë ar dhe metale të tjara të çmuara, për një vlerë të parashikuar prej 40 milion dollarë (rreth 36 milionë euro), nga një depo në aeroportin ndërkombëtar Guarulhos në Sao Paulo.

Sipas autoriteteve të aeroportit, banda vodhi ndër të tjera, një sasi lingotash ari të destinuara për Zyrih dhe Nju Jork.

Hajdutët hynë në aeroport me dy makina të tipit fuoristradë, me logo të Policisë Federale Braziliane, të cilat pas vjedhjes u gjetën të braktisura rreth 20 km larg aeroportit.

Gjatë vjedhjes nuk pati lëndime apo shkëmbim zjarri, por sipas një oficeri policie që donte të mbetej anonim, një zyrtar i aeroportit dhe tetë anëtarë të familjes së tij - përfshirë katër të mitur - janë rrëmbyer nga banditët dhe janë lënë të lirë pas 12 orësh.