Breshëri rrëzon përtokë mandarinat, prishen të mbjellat e fermerëve në Konispol

23 Shtator 2020, 12:23

KONISPOL- Shiu i parë në këtë fillim vjeshte ka rënë pothuaj në gjithë rajonin e jugut, por pa krijuar probleme serioze. Por, ndryshe ka qenë kjo situatë në Bashkinë e Konispolit, ku ka rënë shumë breshër, i pazakontë ku madhësia e tij, pasi shkonte sa një top pinpongu. Në fotot e sjella nga gazetari i Report Tv, vërehet një sasi e madhe breshëri që ka rënë në sipërfaqe të tokës. Breshëri ka dëmtuar mandarinat dhe pemët e tjera të fermerëve në Konispol, duke sjellë një dëm ekonomik për banorët e zonës, pikërisht në kohën kur po niste vjelja e këtyre pemëve. Kryetari i bashkisë, Shuaip Beqiri, thotë se si pasojë e breshrit, janë dëmtuar shumë pemë frutore. Nga verifikimi paraprak në terren nga grupet e punës vërehet se 30 për qind e prodhimit në agrume, mandarina e portokalle është dëmtuar, ndërkohë që dëmtimi tek ullinjtë është edhe më i shumtë.