Brexit-i u shty! Shtetet që dalin me humbje dhe ata që përfitojnë

22 Mars 2019, 16:36

Gjermania do të vuante nga pasojat e një Brexit-i të pakontrolluar. Prodhimi i brendshëm bruto për banor në Gjermani do të ulej  me 115 euro në vit. Vetëm Britania e Madhe do të kishte humbje më të mëdha, konfirmon një studim i Fondacionit Bertelsmann të publikuar të enjten (21.03.). Arsyet për këtë lidhen me afrinë gjeografike dhe lidhjet e shumta të ekonomisë gjermane të orientuar nga eksporti.

Gjermania do të humbiste 10 miliardë euro të ardhura në vit, një vlerë që i përgjigjet 0,3% të prodhimit të brendshëm bruto, thotë bashkautori i studimit, Dominic Ponattu. Vetëm Britania e Madhe do të prekej më rëndë, 57 miliardë euro në vit do të humbisnin britanikët në një rast të një Brexit-i të parregullt, 900 euro për banorë. Londra dhe rajonet më afër kontinentit mund të pësojnë rënie të ndjeshme të të ardhurave, paralajmëron studimi.

Por edhe Franca dhe Italia do të prekeshin nga një Brexit i menjëhershëm me nga respektivisht 8 e 4 miliardë euro. Po ashtu edhe Irlanda fqinje do të kishte humbje të forta, Sipas përllogaritjeve të studimit rreth 720 euro për banor.

Shkaqet

Humbjet janë rrjedhojë e një sërë faktorësh: Nga njëra anë, mallrat dhe shërbimet në tregun e brendshëm do të shtrenjtoheshin menjëherë në rast të një Brexit-i të ashpër. Nga ana tjetër, një tregti më e vogël me Britaninë e Madhe sërish do të rezultonte në rritje çmimesh, sepse në shumë degë europiane do të dobësohej konkurrenca tregtare. Edhe impulset për investime të reja dhe risi do të dobësoheshin, e nga kjo do të vuanin në fund vetë kompanitë - me pasojë mosrritjen e rrogave. Në rast të një Brexit-i të organizuar, dëmet do të ishin më të kufizuara, sipas studimit të fondacionit Bertelsmann ato do të përgjysmoheshin në 5 miliardë euro.