Britani/ Qëllohen me thikë tre persona, mes tyre një polic, dyshohet për sulm terrorist

1 Janar 2019, 13:46 | Përditesimi i fundit: 2019-01-01 14:38:36

Tre persona, përfshirë këtu edhe një oficer policie të transportit, janë qëlluar me thikë përgjatë festimeve në Britani në natën e ndërrimit të viteve.

Policia britanike ka arrestuar një burrë në të 30-tat dhe paraprakisht dyshohet se sulmi në stacionin “Victoria” të Mançesterit ka karakter terrorist pasi personi në fjalë është dëgjuar gjatë momentit të vrasjes duke bërtitur slogane islamike.

Oficeri i policisë është qëlluar në shpatull ndërsa një burrë dhe një grua në moshën 50-vjeçare kanë pësuar lëndime abdominale e plagë në fytyrë.

Policia e Mançesterit është shprehur për mediat britanike se kordoni i vendosur në stacionin e transportit publik do të hiqet së shpejti, ndonëse një prani e madhe policore do të mbetet në vend. Ata gjithashtu bënë me dije se oficeri i cili ishte sulmuar, është liruar tanimë nga spitali.

"Ju do të shihni më shumë oficerë në stacion, por ky nuk është rezultat i ndonjë kërcënimi në rritje", citojnë mediat e huaja policinë e Mançesterit.

a.s.