Varhelyi: Shqipëria ka plotësuar çdo kusht, gati për konferencën e parë ndërqeveritare! Borrell: Në listat e 25 prillit, kandidatë të pastër!

1 Mars 2021, 14:53 | Përditesimi i fundit: 2021-03-01 15:32:14

BRUKSEL- Shqipëria ka plotësuar çdo kusht dhe është gati për konferencën e parë ndërqeveritare! Është kjo deklarata e Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe shefit të politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit të Këshillit të Stabilizimit të Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së. Në një kohë që nuk ka ende një datë, ato kanë vënë theksin se "detyrat e shtëpisë" Shqipëria i ka përmbushur. Fakti që nuk ka ende një datë, ka sqaruar Borrell, është se disa shtete anëtare janë të mendimit, që Shqipërisë i duhet më shumë kohë.

"Nuk ka ende një datë për konferencën e parë ndërqeveritare, kemi shprehur dëshirën që kjo konferencë të ndodh sa më shpejt, deri më tash nuk kemi një datë të caktuar, pavarësisht faktit që Shqipëria ka bërë shumë ecuri, disa shtete anëtare janë të mendimit që duhet bërë më shumë për të organizuar kjo konferencë", tha Borrell. 

Nga ana tjetër,  Varhelyi ka kthyer edhe një përgjigje kryeministrit Edi Rama, i cili akuzoi BE-në se "ka harruar Shqipërinë në procesin e vaksinave". Ai tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi BE ka punuar ditë e natë që t'i sigurojë vaksina Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.