Brukseli: Ligji për Teatrin që u miratua në Shqipëri s'shkel marrëveshjen me BE

10 Shtator 2018, 13:45

Çështja e ndërtimit të Teatrit të Ri Kombëtar merr zgjidhje pas një letre që Komisioni Europian i ka dërguar qeverisë shqiptare, në të cilën sqarohet se ligji i depozituar në Parlament nuk shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por megjithatë këshillon qeverinë që të ftojë edhe aktorë të tjerë të interesuar në garë.

Letra mban firmën e Shefes së Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella, dhe i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.

Matuella shkruan se “Komisioni Europian nuk ka asnjë kompetencë për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit Special me kuadrin ligjor aktual të Shqipërisë”, por nga ana tjetër, ajo shprehet se nuk ka asnjë shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, përkundër asaj çfarë ka deklaruar deri më sot opozita shqiptare.

Artikulli 74(3) i MSA-së i referohet dhënies së aksesit të barabartë kompanive private që duan të lidhin kontrata, duke u bazuar në Ligjin Shqiptar mbi Prokurimet Publike dhe jo mbi acquis-të e Bashkimit Europian. Ndonëse, në këtë pikë nuk vërejmë asnjë shkelje të MSA-së, Komisioni Europian mirëpret vullnetin e autoriteteve Shqiptare për ta amenduar Ligjin Special, me qëllim hapjen e garës për projektin e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që çdo kompani private të mund të aplikojë një propozim për projektin

Komisioni Europian

Me sa duket, letra e ardhur nga KE konfirmon faktin se ligji për Teatrin e Ri Kombëtar do të amendohet në Parlament, për të ftuar edhe kompani të tjera në garë. Përgjigja e KE-së i jep fund edhe ngërçit për ndërtimin e teatrit, por heq edhe çdo alibi të opozitës për ta kundërshtuar projektin. Kryebashkiaku Veliaj e parashikoi para dy ditësh se është gjetur një dakordësi me Komisionin Europian për një amendim të thjeshtë në ligj, çka do e bënte ligjin edhe më të hapur e transparent.