Bulqizë/Humbi trinjakët në spital, Ministria e Shëndetësisë: Mjekët shpëtuan nënën, fëmijët nuk mund të jetonin

7 Dhjetor 2018, 15:33 | Përditesimi i fundit: 2018-12-07 17:59:39

Një grua shtatzënë 30 vjeçe, e cila ishte në muajin e saj të gjashtë, humbi trinjakët këtë të premte. Mësohet se gruaja është Enkeleda Rexhepi 31 vjeçe. Sipas gazetarit të Report TV,  ajo u paraqit në spitalin e Bulqizës, por atje nuk ka patur as mjekë dhe as sallë operacioni dhe për lindjen e saj u asistua vetëm nga një infermiere. Ajo fillimisht arriti të lindë njërin prej trinjakëve, por humbi dy të tjerët.

Gazetari i Report Tv, bëri të ditur se pas informimit për këtë rast  disa mjekë janë nisur nga Tirana, me helikopter drejt Bulqizës ndërsa mësohet se zonja vjen nga një zonë e thellë e fshatit Ostren në Bulqizë. Me të mbërritur në spitalin e Bulqizës, nëna lehonë nuk ka arritur të sjellë në jetë dy fëmijët e saj. Mësohet se gjëndja e nënës lehonë tanimë është e qëndrueshme deri tani, por ndërkohë paraprakisht mësohet të tre fëmijët e saj kanë humbur jetën.

Ajo ka ardhur nga një zonë e thellë e Bulqizës dhe i eshte dashur që të ecë me kalë rreth një orë për të dalë në rrugën nacionale dhe me një makinë të rastit është transportuar spitalin e Bulqizës.

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Por në një reagim të Ministrisë së Shëndetësisë.sqarohet se mjekët arritën të shpëtojnë jetën e 31-vjeccares, e cila kishte një barrë 24 javëshe, të pamundur për të shpëtuar fëmijët.Lidhur me ngjarjen e ndodhur në spitalin e Bulqizës, sqarojmë opinionin publik si më poshtë:

Nëna me inicialet E.R. 31 vjeç është paraqitur në spitalin e Bulqizës në orën 12:00 të ditës së sotme. Nëna e re është asistuar për lindjen e trenjakëve me moshë barre të parakohshme 24-javëshe.

31-vjeçarja është asistuar për lindjen e fëmijës së parë nga mjeku i përgjithshëm Fatos Hoxha dhe dy mami të maternitetit të Bulqizës.

Për shkak të komplikacioneve, menjëherë është njoftuar ekipi i urgjencës kombëtare mjekësore dhe është nisur nga Tirana një ekip i specializuar nga Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” me helikopterin e Urgjencës Kombëtare. Brenda 20 minutash, helikopteri me ekipin e specializuar nga Tirana ka mbërritur në spitalin e Bulqizës. Mjekët e specializuar të maternitetit të Tiranës kanë asistuar dy lindjet e tjera dhe kanë shpëtuar nënën e re, e cila rrezikonte jetën.

Për shkak të moshës së vogël të barrës (24 javë është e papajtueshme me jetën), trenjakët nuk kanë mundur të mbijetojnë, ndërsa nëna tashmë është jashtë rrezikut për jetën dhe në këto momente është nën kujdesin e mjekëve'-thuhet në reagimin e ministrisë.

.