Burg pa afat! Përgjimet dhe dëshmitë e sirianëve 'fundosin' dy vlonjatët që i trafikuan me gomone në Itali

26 Prill 2020, 17:57

VLORE-Gjykata ka lënë në arrest me burg pa afat dy personat e arrestuar tre ditë më parë me gomone në Karaburun në afërsi të shpellës se Haxhi Alisë. Seanca për Dushan Spahiun dhe Paulin Koçin u zhvillua paraditen e sotme pa praninë e medias në masat e parashikuara nga KLGJ-ja referuar situatës së shkaktuar nga COVID-i. Akuza e përfaqësuar nga Aurel Zarka kërkoi arrest me burg për dy të akuzuarit  Dushan Spahiu dhe Paulin Koçi. Mbi ta rëndojnë akuzat e trafikimit  të mjeteve motorike dhe ndihmës në kalimin e paligjshëm të kufirit, pasi trafikuan drejt Italisë emigrantë nga Siria.

Në akuzën e prokurorisë ishin bashkëngjitur rrëfimet e 21 sirianëve, mes të cilëve 5 gra dhe 4 fëmijë  të cilët kanë bërë njohjen e mjetit të sekuestruar.  Sirianët sipas prokurorisë janë pyetur në shtetin fqinj në Itali, pasi u trafikuan nga Vlora në brigjet përtej Adriatikut. Ata kanë pohuar se ka qenë pikërisht kjo gomone që i dërgoi në anën tjetër të detit në brigjet e Brindisit. Personat e arrestuar kanë qenë në përgjim, mjeti dhe vendi ku strehohej ka qenë i lokalizuar në bazë të përgjimeve telefonike. Pasi u njoh me të gjitha provat e prokurorisë, gjyqtari Laurent Fuçia vlerësoi  qëndrimin e tyre në burg pa afat.