Sanitarja e ‘Shefqet Ndroqit’ që u hoq si infermiere dhe i mori 800 mijë lekë vajzës së një pacienteje me COVID, e cila më pas humbi jetën, ka dalë sot para gjykatës për masën e sigurisë. Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi 'arrest me burg' për Alldervishin për akuzën 'mashtrim me pasoja të rënda'.
Prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, ka deklaruar në seancë se po zhvillohen hetime nëse kemi të bëjmë një skemë zhvatje ndaj të sëmurëve me COVID-19. Duke dhënë detaje ai është shprehur se Alldervishi ka kërkuar fillimisht 2 mije lek vetëm për të futur telefonin.
Tirja i jepte kallëzueses edhe një liste me ilaçe që duhet të blinte për kurimin e së ëmës. Ajo në momente të caktuara ka kërkuar edhe 7 mijë lek, madje i cilësonte pak. Në funksion të hetimeve, prokurori bëri me dije se do të sekuestrohen në vijim kartelat shëndetësore tek "Shefqet Ndroqi".
Në vendimin e saj gjyqtarja Rexhina Memlika dha një mesazh shumë të fortë. Ajo u shpreh e pakënaqur nga klasifikimi i veprës penale nga prokuroria duke sugjeruar ndryshimin e kualifikimit të akuzës në 'mashtrim me pasoja të rënda'. Memlika tha se publiku është i tronditur dhe është nevoja për hetim të thelluar dhe se masa e marrë për të akuzuarën është masa më evidente që të parandalohet në çdo lloj mënyrë çdo lloj veprimi që në këtë lloj situate të krijohet kjo formë abuzimi.
