Burrë e grua të vetëkarantinuar në Fier nisen për te Infektivi në Tiranë

17 Mars 2020, 10:10

FIER - Është përkeqësuar këtë mëngjes, gjendja shëndetësore burrë e grua nga fshati Dermenas i Fierit. Prej ditësh ata ishin karantinuar në shtëpinë e tyre, por sot kanë shfaqur probleme shëndetësore, dhe janë nisur me autoambulancë drejt Spitalit Infektiv në Tiranë. Ndërkohë, një tjetër grua nga Fieri e infektuar me COVID-19 vijon të qëndrojë në shtëpi, pasi gjendja paraqitet e qëndrueshme deri më tani. 

Pranë spitalit të Fierit ditën e sotme kanë mbërritur ekipet e Institutit të Shëndetit Publik për të marrë tamponët për 17 mjekë, infermierë dhe sanitarë të spitalit. Ata ishin vetëkarantinuar prej disa ditësh, pas kontaktit me një 61-vjeçare e cila kishte fshehur që kishte qenë në Itali, ku është infektuar. Për të menaxhuar rastet Spitali i Fierit u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që paraqiten në urgjencë, pediatri dhe maternitet të kenë më vete kartat e identitetit kur paraqiten në këto mjedise dhe të deklarojnë itinerarin nëse kanë pasur lëvizje jashtë vendit. Por kjo nuk do t'i lihet në dorë vetëm deklarimeve të tyre,. pasi mjekët kanë tashmë mundësinë të kontrollojnë nga sistemi nëse ka persona që kanë ardhur nga zonat e kuqe.