Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Italisë, Enzo Moavero Milanesi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë. Bashkëbiseduesit rikonfirmuan marrëdhëniet miqësore, tradicionalisht shumë të mira dhe me ecuri pozitive ndër vite mes vendeve.
Ministri Bushati theksoi se partneriteti strategjik midis dy vendeve është një garanci për të pasur një bashkëpunim edhe më të madh dhe të gjithanshëm si në aspektin dypalësh, veçanërisht atë ekonomik dhe tregtar, ashtu edhe në zhvillimet rajonale dhe globale. Ministri Bushati vlerësoi qëndrimin mbështetës dhe lobues të Italisë për hapjen e negociatave me BE, në muajin qershor 2019, mbështetje e cila vjen si pasojë e leximit të rezultateve konkrete në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Gjithashtu, Ministri Bushati falënderoi homologun italian për mbështetjen e Shqipërisë për lobimin në marrjen e Kryesisë së OSBE-së për vitin 2020 dhe shprehu angazhimin për të punuar ngushtësisht brenda Trojkës së OSBE-së. Ai i shprehu mirënjohjen Italisë për mbështetjen që do të ofrojë në drejtimin e Grupit të kontaktit për Mesdheun në 2019, Kryesinë e OSBE-së në 2020 dhe Grupin e kontaktit për Azinë në 2021. Ministri Bushati u shpreh optimist për mbështetjen e mëtejshme dhe rakordimin e veprimeve të përbashkëta për sigurimin e vendit të anëtarit të përkohshëm të Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë së OKB për periudhën 2022-2023.
Pjesë nga fjala e Bushatit:
Dua ta falënderoj në emër të Qeverisë Shqiptare, në emër të institucioneve dhe popullit shqiptar, mikun tim, ministrin e Jashtëm italian, Moavero, për gjithë mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë për të marrë kryesinë e OSBE-së, duke na dhënë në të njëjtën kohë mundësinë për të mësuar nga eksperienca e vyer italiane, duke qenë pjesë e Trojkës së OSBE-së, sepse për Shqipërinë do të jetë hera e parë, do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të testuar kapacitetet tona diplomatike, politike, ndërvepruese jo vetëm me Italinë dhe Sllovakinë si pjesë e Trojkës, por edhe me vendet e tjera të cilat në shumë raste mund të kenë gjykime dhe opinione krejt të ndryshme nga vendi ynë. Gjithashtu unë sot dua t’i shpreh mirënjohjen Ministrit Moavero, Italisë mike, për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në mënyrë konsistente në procesin e integrimit evropian. Dua të kujtoj edhe njëherë për qytetarët tanë që Italia ishte një nga vendet pararojë edhe në qershorin e vitit të kaluar, në mbështetje të një vendimi për nisjen e menjëhershme të bisedimeve për anëtarësim, sepse në fund të ditës është në interesin edhe të Bashkimit Evropian dhe jo thjesht Shqipërisë, nisja e këtij procesi një orë e më parë. Dhe gjithashtu sot mora edhe mbështetje dhe u sigurova që Italia do të vijojë të mbështesë nismën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim brenda vitit 2019. Për ne, pavarësisht vështirësive që kalon Bashkimi Evropian dhe procesi i Integrimit Evropian, Evropa është një ideal, Evropa është destinacion dhe Evropa është nevoja jonë për t’u reformuar së brendshmi dhe për të zhvilluar më tej ekonominë shqiptare dhe për të projektuar më shumë stabilitet demokratik në rajon dhe Mesdhe. Gjithashtu me Italinë ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer edhe në kuadër të Nismës Qendrore Evropiane dhe do të vijojmë që të sinkronizojmë përpjekjet tona dhe iniciativat tona për të projektuar më shumë stabilitet demokratik, më shumë prosperitet në Ballkan dhe në Mesdhe.
