Kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi dje pasdite dëgjesën e radhës për Buxhetin 2019 me banorët e Kasharit, ku theksoi se puna e madhe e bërë në këto 3 vjet do të vazhdojë, e po ashtu, me mbështetjen e PS në zgjedhjet e ardhshme vendore nuk do të ndalen as investimet e nisura. “Që t’i marrim më shpejt vendimet dhe të kemi mundësi të investojmë me ritëm më të lartë, na duhet që të kemi votat për PS-në në Këshillin Bashkiak. Një nga arsyet pse sot kemi një qeveri efiçente është sepse Edi Rama ka 74 vota. Një shumicë absolute që e bën të ecë pa asnjë ndalesë, që nuk e shantazhon njeri, që s’ka nevojë të bëjë pazar me njeri, që s’ka nevojë t’i bëjë qefin dikujt, pasi e vetmja fuqi që njohim është ajo e qytetarëve që na kanë dhënë votën. Kjo është arsyeja pse na duhet një shumicë e tillë edhe në Këshillin Bashkiak”, tha Veliaj, teksa përmendi rëndësinë që ka vota për të marrë vendime me impakt direkt për qytetarët. Ndaj, ai kërkoi që qytetarët të mos e trajtojnë votën si qokë, por si të vetmen mënyrë që PS-ja të vijojë punën e mrekullueshme të nisur në Tiranë.
Duke përshëndetur vendimin e qeverisë për amnistinë lidhur me regjistrimin e vendbanimit për qytetarët, Veliaj u bëri thirrje banorëve që jetojnë në Kashar që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të deklaruar vendbanimin e saktë. Ndryshimet në ligj kanë hyrë në fuqi, ndaj të gjithë ata që ende nuk e kanë bërë regjistrimin, duhet të paraqiten pranë Njësisë Administrative ku realisht banojnë për të bërë regjistrimin e saktë. Veliaj nënvizoi se çdo qytetar e ka për detyrë të bëjë regjistrimin e saktë, pasi kjo është jo vetëm në të mirë të tij, por edhe në të mirë të zonës sepse ndihmon institucionet për të kryer një shpërndarje më të mirë të buxhetit dhe investimeve. “Na duhet të reflektojmë faktin se në Kashar nuk banojnë 8 mijë, por 70-80 mijë njerëz. Ndaj do e vlerësoja shumë ndihmën tuaj këtu. Falenderoj qeverinë që e hoqi pengesën e fundit, gjobën, dhe tani nuk na pengon asgjë tjetër për t’u regjistruar. Na ndihmon jo vetëm për buxhetin e bashkisë, na ndihmon edhe kur kërkojmë subvencionimin nga qeveria”, tha ai.
Kashari do të ketë shumë shpejt edhe një bulevard të ri, që do të lidhë Unazën e Tiranës së Re me Rr. "Tre Dëshmorët e Kombit", çka i jep zonës, por edhe kryeqytetit, një tjetër vepër të rëndësishme infrastrukturore. “Jemi në fazën e parë dhe më vjen mirë që kemi ecur me punimet në bulevardin “Migjeni” në Yzberisht, pavarësisht shirave që patëm në verë. Shumë njerëz kanë parë bulevardin e Tiranës, u duket mrekulli, por ndërkohë pa marrë shumë vëmendje ka avancuar edhe Bulevardi i Kasharit. Nga njëra anë janë ndërtimet, nga ana tjetër është ruajtur hapësira e gjelbër për të bërë edhe aty një park. Jam shumë i lumtur se aty, që tani, pa mbaruar ende faza e parë e punës, u është rritur vlera të gjitha shtëpive”, tha Veliaj.
Zona e Kasharit është përfituese direkte edhe e një prej investimeve më të mëdha, si ndërtimi i “Unazës së Re” dhe rrethrrotullimit te “Sheshi Shqiponja”, që pritet të fillojë së shpejti nga ndërtimi. “ARRSH-ja dhe Ministria e Transporteve po fillon nga rrethrrotullimi te “Shqiponja” dhe gjithë zona e unazës te Rr. “Teodor Keko”, çka besoj çliron trafikun. Kush e ka shtëpinë mes Fabrikës së Miellit dhe TEG-ut ia ka parë hajrin çfarë do të thotë të kesh një rrugë që s’bllokohet kurrë. Besoj të njëjtin hajër do t’ia shohim edhe investimit të qeverisë dhe Ministrisë së Transportit”, nënvizoi Veliaj. Në dëgjesën me banorët e njësisë së Kasharit, ai prezantoi disa nga investimet e realizuara në këtë zonë, që kanë sjellë një ndryshim rrënjësor me ç’ka ishte tre vite më parë. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e Rr. “Mujo Ulqinaku”, fshati Kashar Qendër, ndërtimin e Rr. “3 Dëshmorёt” (Rr. Yzberishtit), Rr. “Skёnderbej” Yzberisht, ndërkohë që është punuar pёr ndёrtimin e rrugëve paralele “Faik Konica” dhe “Milto Sotir Gura”.
Zgjidhje ka marrë edhe një nga problemet e hershme të zonës së Kasharit, furnizimi me ujë të pijshëm. Bashkia e Tiranës dhe BERZH-i kanë nënshkruar marrëveshjen e financimit për investime në Bovillë dhe linjën e furnizimit me ujë në Unazën e Re, Yzberisht dhe Kashar. “Kjo është një nga punët më të rëndësishme që kemi bërë me Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës. Kemi nënshkruar me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim një marrëveshje për rrjetin e ujësellësit që sjell tubacionin direkt nga Bovilla në zonën e Kasharit dhe furnizon të gjithë njësinë. Projekti ka filluar me një shtesë në impiantin që dyfishon ujin që futet për filtrim në sistem”, tha Veliaj, teksa siguroi banorët se në zgjedhjet e tjera nuk do të flitet më për këto problematika të mbartura ndër vite, e që tashmë po marrin zgjidhje.
Investime të rëndësishme janë edhe rrjeti i ujësjellësit në Yzberisht dhe ndërtimi i depos së ujit, ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve nё Rr. “Tefta Tashko Koço”; fshati Mёzez Fushё, rrjeti shpërndarës i ujësjellësit në rr. “Joklin Persi” dhe përmirësimi i furnizimit me ujë te Rrethi në fillim të Blv. Kasharit; ndërtim rrjet ujësjellësi në zonën industriale Tiranë - Durrës, përmirësim furnizimi me ujë në Rr. “Engjell Mashi”, “R. Shala” dhe “3 Deshmorët”, si dhe Rr. “Teodor Keko”. Ai listoi edhe një sërë projektesh të tjera infrastrukturore që përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës për banorët e kësaj njësie. “Në rrugë rurale kemi sistemim dhe mirëmbajtje në fshatin Mazrek, në fshatin Katund i Ri, kemi kanale kulluese ku kemi punuar me pastrimin në Fushë Manzë, në Fushë Limuth dhe në nënstacionin elektrik te fusha e Radiostacionit dhe kanali ujitës te rezervuari i Purecit”.
Në këtë njësi do të ndërtohen edhe dy shkolla të reja, për të ulur fluksin e nxënësve në klasa, por edhe për të eleminuar mësimin me dy turne. Krahas investimeve të rëndësishme infrastrukturore, Bashkia e Tiranës i ka kushtuar një vëmendje të posaçme edhe ndihmës ekonomike për familjet në nevojë. Ndryshim rrënjësor ka pësuar edhe marrja e shërbimeve, si pastrimi në nivel kapilar i rrugëve dhe pasja e një shërbimi eficent transporti publik.