Buxheti 2020, Denaj: Është 6.2% më i lartë se i këtij viti! PD: Është propaganda

8 Nëntor 2019, 18:30

Projektbuxheti i vitit 2020 është prezantuar këtë të premte në Konferencën e Kryetarëve. Ministrja e Financave Anila Denaj ka deklaruar se buxheti i vitit 2020 do të jetë 6.2% më i lartë se buxheti i vitit 2019. Po ashtu ministrja ka theksuar se rritja ekonomike në vitin e ardhshëm do të jetë 4.1%. Ndërkohë për Partinë Demokratike ky buxhet është vetëm propagandë.

4.1% pritet të jetë rritja ekonomike e vitit të ardhshëm. Ministrja e Financave Anila Denaj teksa ka prezantuar projektbuxhetin e vitit 2020 në Konferencën e Kryetarëve, ka theksuar se buxheti i ardhshëm është 6.2% më i lartë se i këtij viti. Po ashtu Denaj ka pohuar se ky planifikim i buxhetit mbështet të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria.

“Rritja ekonomike parashikohet të jetë në nivelin 4.1% në vitin 2020 dhe 4.5% pёrgjatё viteve 2021-2022. Të ardhurat totale për vitin 2020 parashikohen me një rritje prej 6.2% mbi të ardhurat e pritshme të vitit 2019 ose 29.2 miliard më shumë” tha Denaj.

Ministrja Denaj ka listuar edhe disa nga sektorët që do të kenë vëmendje të shtuar në vititn 2020 dhe do të mbështeten edhe me fonde shtesë.

“Shpenzimet Buxhetore për vitin 2020 do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura.  Sa i takon arsimit ky sektor prioritar do të marrë 3.3 miliardë lekë më shumë se buxheti i vitit 2019. Shëndetësia, do të rritet në vitin 2020 me 2.75 miliardë lekë krahasuar me buxhetin e vitit 2019. Bujqësia, do të rritet në vitin 2020 me 1.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me buxhetin e vitit 2019, ose rreth 12% buxhet i shtuar. Fushën e sigurisë kombëtare, rrisim buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes me rreth 2.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me buxhetin e vitit 2019” u shpreh ministrja.