Buxheti 2021, Manastirliu: Mbështet mjekët si asnjëherë më parë

2 Nëntor 2020, 15:15

Ministrja Ogerta Manastirliu ka qenë sot në Komisionin e Shëndetësisë ku ka raportuar për financimin në sektorët e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, ku mes të tjerash ka thënë se Buxheti I vitit 2021 mbështet mjekët si asnjëherë më parë.

 “Me buxhetin e 2021 do të ketë një rritje në 40% të pagave të mjekëve dhe infermierëve dhe si asnjeherë më parë ky buxhet mbështet mjekët dhe infermierët”,  u shpreh Manastirliu.

Më tej ministrja Manastirliu tha se do të ketë investime madhore, ku mes të tjerave është edhe ndërtimi i spitalit të ri modern të sëmundjeve të brendshme në QSUT dhe investime në spitalet rajonale.

 

“Do të vijohet me ndërtimin e maternitetit të ri të Beratit, Lezhës, Kukësit. Gjithashtu me hapjen e kantiereve të reja për rikonstruksionin e pediatrisë në spitalin e Elbasanit, për rikonstruksionin dhe rindërtimin e Maternitetit Mbretëresha Geraldinë, për rikonstruksionin e Qendrës Kombëtare të Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve në Tiranë, rikonstruksionin e kirurgjisë dhe urgjencës në spitalin rajonal Shkodër, rikonstruksionin e sallave të lindjes, repartit të neonatologjisë dhe repartit të urgjencë – pranimit dhe pajisje mjekësore në Maternitetin Koço Gliozheni, rikonstruksioni i godinës së spitalit Prrenjas dhe pajisjen për Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Spitalin e ri të Pediatrisë në QSUT”, tha ministrja.