Buxheti 2021/ Xhaçka: 11.8% më shumë për prioritetet e Mbrojtjes dhe angazhimit në NATO

5 Nëntor 2020, 14:16

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2021 kap vlerën e 2.7 miliardë lekëve, ose 11.8% më shumë se në vitin 2020. Buxheti i Mbrojtjes për vitin 2021, adreson në mënyrë realiste ato që janë prioritetet e mbrojtjes dhe pritshmërisë së aleatëve.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë seancës parlamentare të enjten, u shpreh se,  “nëse për vitin 2020 kishim një buxhet sa 1.46 % e Produktit të Brendshëm Bruto, për vitin 2021 buxheti shkon në 1.5% të PBB, çka është në përputhje të plotë me objektivat dhe angazhimet tona në Samitin e Uellsit për ta çuar atë në 1.75% në vitin 2022, dhe 1.85% të PBB në buxhetin e vitit 2023”.

“Në terma nominalë, buxheti i vitit 2021 ka një rritje me rreth 2.7 miliardë lekë ose 11.8% krahasuar me planin e vitit 2020. Por sigurisht, fakti që buxheti është rritur tregon vetëm njërën pjesë të historisë. Sepse rritja e buxhetit, dhe arsyeja përse aleatët këmbëngulin në rritjen e buxhetit për të arritur eventualisht në 2% të PBB, nuk është një qëllim në vetvete. Mënyra sesi shpenzohen dhe produktet për të cilat përdoren këto para është thelbësore. E them këtë, sepse nëse shikojmë historikun e buxheteve të Ministrisë së Mbrojtjes – ata ndër ju që kanë kohë në këtë komision besoj janë në dijeni – është e qartë që shpesh herë buxhetet janë përdorur për gjithçka, përveçse për të çuar përpara angazhimet e prioritetet”, – tha Xhaçka më tej.