Buxheti/ Balluku: Tre projektet kryesore, Milot -Balldren anulohet nëse fituesi nuk gjen financimin

19 Nëntor 2019, 17:24

TIRANE-Në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese po diskutohet projektbuxheti për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2020. Ministria e Infrastrukturës erdhi në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese me një sërë ankesash lidhur me buxhetin e vitit 2020. Belinda Balluku ka theksuar se Ministria e Financave ka zeruar fondin për ndërtimin e Hekurudhës Tiranë - Durrës që sipas saj është në fazën finale. Ajo shpalosi edhe tre projektet madhore të këtij dikasteri për vitin tjetër. Ministrja deklaroi se koncesioni i rrugës Milot -Balldren do të anulohet në rast se fituesi nuk plotëson dokumentacionin dhe financimin e duhur brenda afatit te caktuar.

Diskutimet në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese
Belinda Balluku: Ky buxhet kurrsesi nuk mund të quhet buxheti i infrastrukturës. MFE ka vendosur të zerojë fondin për këtë hekurudhë, duke hequr 100 milionë lekë investim i brendshëm dhe 200 milionë investim i jashtëm. Tashmë ky projekt nga buxheti i prerë i ministrisë së financave. MFE nuk mund të bëjë një buxhet të njëanshëm dhe pa marrë parasysh konsultimet. Pas një lufte të gjatë për hekurudhën tani nuk kemi fonde për ta vazhduar. Vonesat kryesore të realizimit të projekteve është problemi i shpronësimeve, jo rrallë herë kemi pasur edhe mungesë fondesh. Ne shpesh nisim projektin pa identifikuar vlerën që do kërkojnë shpronësimet. Shpronësimet në disa raste kalojnë vlerën e vetë projektit.