Buxheti i shkurtuar rrezikon 'Milot-Balldren'/ Anila Denaj: Do pezullohen projekte të tjera, për shkak të mungesës së fondeve

20 Nëntor 2019, 20:18 | Përditesimi i fundit: 2019-11-20 20:55:19

TIRANE- Të ardhurat buxhetore me një performancë jo sipas parashikimeve do të japin goditje edhe në investimet publike. Teksa diskutoheshin koncesionet, në Komisionin e Ekonomisë Ministrja e Financave Anila Denaj ka pohuar se shumë projekte koncesionare në 2020 nuk do të financohen nga buxheti, duke u bllokuar. Po ashtu edhe Milot-Balldren rrezikohet të shtyhet në kohë nëse nuk realizohen të ardhurat ose mund të pezullohen projekte të tjera.

“Si qëndrojmë me pjesën e buxhetit, sa mund t’i financojmë ato, dhe nëse kemi kontrata të tjera të cilat janë ndërmarrë gjatë vitit të kaluar, mundësinë përsëri në buxhet për të filluar punën në 2020”, ka qenë kjo pyetja e Deputetes Blerina Gjylameti.

“Ne kemi ngrirë projekte edhe këtë vit në mënyrë që  të mos rrezikojmë asnjë parametër fiskal dhe kryesisht. Në momentin që të kemi të ardhura do t’i financojmë. Nuk do të rrezikojmë buxhetin e shtetit. Kemi ulje në investime kapitale dhe shtyrje për një vit më vonë” është përgjigjur Denaj.

Ahmetaj: Po nëse rruga Milot-Balldren bën kushtin 25% të punimeve ça ndodh?

Denaj: Do rishikohet PBA “projektbuxheti Afatmesëm”

Ahmetaj: Nëse PBA është në rënie do shtyhen investimet e tjera?

Denaj: Po. Do të jetë edhe në dorë të Ministrisë së Infrastrukturës të përzgjedh projektet prioritare.

Pavarësisht financimit që këto kontrata kërkojnë, Denaj ka theksuar se në asnjë moment nuk do të kalohet tavani prej 5% të PBB.

“Kufiri prej 5% e të ardhurave tatimore, respektohen dukshëm pasi kap shifrën e 3.3% në këtë vit. Për vitin 2021 dhe 2022 kapim vlerat 3.3 dhe 3% të tavanit buxhetor”. Pjesa më e madhe e rreziqeve të lidhura me PPP-të i mban sektori privat”  tha Denaj.

Teksa i është përgjigjur pyetjeve të opozitës parlamentare lidhur me kostot dhe transparencën e këtyre kontratave, Denaj ka risjellë në vëmendje kontratat e nënshkruara në kohën e Partisë Demokratike.

“Ne sot kemi 220 kontrata koncesionare. Nga viti 2004-2013 janë nënshkruar 176 kontrata koncesionare. 171 janë të pa kërkuara” pohoi Denaj.

Ish ministri i Financave Arben Ahmetaj ka shuar zërat lidhur me taksën e rrugës së Arbrit që pritet të mbarojë brenda 2022.

“Nuk do të bëhet me tarifë Rruga e Arbrit” u shpreh Ahmetaj.

Po ashtu Ahmetaj ka sqaruar për herë të parë edhe arsyen e anulimit të kontratës me konsorciumin turk për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

“Propozimi i parë i aeroportit të Vlorës,propozuesi i mundshëm presupozonte që të hidhte më pak sesa do hidhte buxheti i shtetit” tha ish ministri.

Në Komision janë sqaruar edhe procedurat e tenderimit për të gjitha kontratat koncesionare. 

“Të dyja kalojnë në proces tenderimi, sepse ka pasur një tymnajë që këtu është bërë pa tenderim. Ai propozim i pa kërkuar kalon në filtra të Ministrisë, thërritet propozuesi të bëjë propozime dhe ndryshime, në bazë të ligjit. Ligji ia jep të drejtën Ministrisë. Vjen projekti pronësohet, dhe momenti që pronësohet, në bazë të ligjit kompania merr bonusin nga 0 deri në 10 pikë. Përfundohet dosja dhe çohet tek ARRSH. Çohet dosja tek APP dhe aty garohet”, ka thënë Ahmetaj.