Ritmi i rritjes së të ardhurave buxhetore ka qenë edhe në prill i kënaqshëm, sipas shifrave zyrtare, të publikuara nga zyra e statistikës së ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Të ardhurat
Të ardhurat totale në buxhet për katërmujorin e parë të vitit arritën vlerën e 143.2 miliardë lekëve, me një rritje prej rreth 2.4% krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat tatimore u rritën me rreth 3.5%, por një efekt negativ dha rënia e të ardhurave nga ndihmat dhe të ardhurave jotatimore. Të ardhurat e përgjithshme shënuan një realizim në masën rreth 95.8 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar rreth 3 miliardë lekë më shumë.
Një ecuri pozitive po vijon me vjeljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, që ka sjellë në arkën e shtetit 44.5 miliardë lekë, nga 41.9 një vit më parë në të njejtën periudhë, me një rritje në masën 6.2 për qind. Ndërkohë, akcizat kanë qendruar në vend me 12.9 miliardë. Importi dhe prodhimi vendas i karburantit rezultuan në rreth 161.878 ton, me një rritje 1% krahasuar me 4-mujorin e vitit 2017, ndërkohë që importi i cigareve u rrit 5%, importi dhe prodhimi i birrës 12%, importi dhe prodhimi i verës me 4%, importi i gazit të lëngët me 11% dhe importi i kafesë me 13%.