Buxheti i Tiranës 2021/ Veliaj, bashkëbisedim online me të rinjtë: Po ndërtojmë më shumë shkolla se në 100 vite të Tiranës kryeqytet

2 Dhjetor 2020, 15:06

Në buxhetin e ardhshëm të Bashkisë Tiranë janë parashikuar një sërë investimesh vetëm për rininë. Ky është premtimi që i ka dhënë sot gjimnazistëve, kryetari i Bashkisë së Tiranës përmes një bashkëbisedimi që zhvilloi online me ta.

Veliaj nënvizoi se falë Programit të Rindërtimit, në Bashkinë e Tiranës, në një vit, po ndërtohen më shumë shkolla se në 100 vite të Tiranës Kryeqytet, ndërkohë që vitin tjetër, qytetit do t’i shtohen 17 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe 8 konvikte të reja për studentët.

Me projektin e 17 shkollave filluam një shkollë të re tek Njësia 8, po ashtu një shkollë tjetër te Fresku, po vazhdojmë me shkollën e re 9-vjeçare në Institutin Bujqësor dhe dy shkollat e tjera tek “Don Bosko”, shkollat “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri”. Do të fillojmë shkollën e re “Dritëro Agolli” te Parku Olimpik, si dhe dy shkolla në Qytetin Studenti, me të cilat zgjidhim përfundimisht çështjen e arsimit parauniversitar në Tiranë”, shpjegoi Veliaj.

Sa i përket godinave të studentëve, Veliaj tha se ka nisur puna për ndërtimin e 8 konvikteve të Universitetit Bujqësor. “Do shkojmë nga një Qytet Studenti i Kodër-Kamzës që akomodonte 150 vetë, në një Qytet Studenti që do akomodojë 2150 vetë. Ne besojmë se do të jenë gati për 12-13 muaj”, u shpreh ai.

Ndërkohë që Karta e Studentit ishte një tjetër ccështje në  të cilën u ndal kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Ai tha se falë një marrëveshjeje me Kartën Studentore Europiane të rinjve do u mundësohet të aksesojnë të njëjtat shërbime si të rinjtë në vendet e tjera të BE-së. “Gama është e tillë, e paprecedentë më përpara, me 602 shërbime”, tha ai.

    No videos found.