Bylis feston ngjitjen në Superligë me goleadë, Duka: Ditë e shënuar për ballshiotët

20 Maj 2019, 15:40

Skuadra e Bylist është treguar e pamëshirshme në javën e fundit të Kategorisë së Parë në Grupin B pasi ka mposhtur me rezultatin e thëllë 5-0 Besën. Një 90 minutësh që ishte i fundit në këtë kategori, pasi sezonin e ardhshëm ballshiotët do të luajnë në Superligë. Përveç disa personazheve të tjerë të njohur në këtë sfidë i pranishëm ishte edhe presidenti i federatës Armando Duka, i cili deklaroi:

Armando Duka: “Një ditë e shënuar për futbollin e këtij qyteti që kurorëzoi punën e gjithë kampionatit, por jo vetëm këtij, por të gjithë kampionatëve të mëparshëm. Bylisi ka qenë bindës, ka qenë udhëheqës dhe e meritoi vendin e parë.”

Agron Kapllanaj, kryetar i Bashkisë: “Unë falenderoj djemtë e ekipit të Bylist, stafin drejtues, presidencës dhe sportdashësit ballshiotë që e kanë mbështetur ekipin.”

Besnik Kapllanaj, president i Bylisit: “Është e konfirmuar që trajneri grek do të jetë edhe për sezonin e ardhshëm në Superligë.”

Në fund Bylisi ngriti titullin kampion të kësaj kategorie, ndërsa të enjtën në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana” do të luhet finalja e Kategorisë së Parë kundër Vllaznisë. Fituesi përveç trofeut do të marrë edhe një shpërblim prej 30 milionë lekësh të vjetra./ Përgatiti Ernest Koçi