TIRANË- Fundi i vitit 2020 për PD-LSI ka qenë shumë i ngarkuar duke u ‘ankuar’ në KQZ për aktivitetet të ndaluara sipas tyre të bëra nga PS-ja! Anëtari i Komisionit Rregullator, Dritan Çaka nuk dha një numër konkret se sa ka qenë numri i ankesave të PD-LSI, por tha se kanë të bëjnë kryesisht me dhënie legalizimesh dhe së fundmi edhe dhënien e çelësave të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Nuk mund të paraqesin ankesa vetëm individët, se mund ta bëjnë edhe persona juridik, apo parti të ndryshme siç është PD dhe LSI. Këto kanë depozituar ankesa, kryesisht kanë të bëjnë me shkelje të pretenduara me shpërndarjen e lejeve të legalizimeve apo me aktivitete publike që janë zhvilluar nga institucionet, ku ka pasur raste që nuk janë raportuar në ndërfaqe, se edhe mos raportimi 5 ditë përpara se të zhvillohet aktiviteti përbën shkelje. Pas datës 25 dhjetor dhe periudha më kryesore ka qenë ajo e ditëve të fundit të vitit të kaluar, por edhe për një sërë aktivitetesh në fillim janari. Ka dhe me dhënien e çelësave të banesave të dëmtuara nga tërmeti, këto janë ankesat e fundit”, tha Çaka.
Në Report TV, i ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’, Çaka ka sqaruar se cilat janë ato aktivitete që janë të ndaluara, pasi sipas tij ka jo pak raste një lexim jo të mirë të këtij urdhri.
“Duhet theksuar se jo çdo aktivitet duhet të raportohet te KQZ, janë ato aktivitete ku nuk ka prezencë të publikut apo të medias. Ndalohen ato raste që kanë të bëjnë me fonde që janë lëvruar pas datës 25 dhjetor, jashtë buxhetit të miratuar më parë nga çdo institucion. Ka dhe një farë një lexim jo të mirë të aktit, por jo çdo veprimtari apo kryetar bashkia është e ndaluar. Nëse janë nisur më parë, nëse janë veprimtari që nuk kanë të bëjnë me shpërndarjen e lejeve të legalizimit të certifikate, të kontratave, nuk ndalohen”, tha ai.
