Cakaj për Report Tv: Diskutime me 3 shtete të rëndësishme për ndihma mjekësore!

25 Mars 2020, 12:06 | Përditesimi i fundit: 2020-03-25 14:44:15

TIRANË - Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj intervistë për Report Tv tha se përveç Turqisë që solli ndihma me mjete për stafin mjekësor në Shqipëri, është disktuar edhe me tre shtete të mëdha jashtë Bashkimit Evropian për të ofruar ndihma mjekësore për vendin tonë, por pa thënë se cilat vende janë.

Kryediplomati shqiptar tha se sa i përket shqiptarëve të mbetur jashtë atdheut dhe që nuk mund të kthehen dot për shkak të bllokimit të kufijve nisur nga situata me koronavirusin, është arritur dakordësia me një numër të madh shtetesh për të toleruar afatet e qëndrimit 90 ditor, ndërsa po negociohet edhe me disa vende të tjera. Burimet e ministrisë janë të kufizuara - tha Cakaj për Report Tv - megjithatë puna e ministrisë ka shkuar edhe përtej zyrtare. Ai tha se ka pasur bashkëpunime me komunitetet shqiptare jashtë vendit, të cilët nën ndërmjetësimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme u kanë siguruar akomodimin falas shqiptarëve të mbetur në Itali. 

I pyetur se si po e kalon personalisht këtë periudhë të vështirë për të gjithë kombin, Cakaj tha se po vijon punën në ministri në kushte të jashtëzakonshme, ndërsa familja e tij ndodhet në Kosovë. Ajo që mbetet theksoi ministri, është të qëndrojmë të izoluar dhe të respektojmë rregullat.

Pjesë nga intervista

Çelja e negociatave

Cakaj: Ky vendim vjen pas 3 raporteve pozitive që dëshmuan se Shqipëria ka bërë përparimin e nevojshëm për të filluar procesin e bisedimeve për anëtarësim. Një hap historik se na fut në rrugën e anëtarësimin në BE. Ky është një lajm i rëndësishëm për gjithë rajonin, meqënëse pas shtyrjeve të njëpasnjëshme për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u ndje se gjoja BE ka zbehur zgjerimin për Ballkanit. Kështu, kuptohet se agjenda e zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor është funksionale.

50 milionë euro për COVID

Cakaj: Kjo është ndihma e BE që dëshmon për fuqinë e solidaritet evropian. ishte një plotësim i lajmit të mirë politik tashmë që nga një marrëdhënie më e fuqizuar politike BE është një faktor i rëndësishëm që kontribuon në shëndetin e shqiptarëve.

Mjete nga Turqia për të ndihmuar mjekët

Cakaj: Së pari unë dua të nënvizoj që gjatë këtyre ditëve me ministrat e jashtëm të BE kanë qenë dy tema, menaxhimi i situatës me COVID-19 dhe lobimi për hapjen e negociatave. Angazhimi ynë nuk është fokusuar vetëm me vendet e BE për të siguruar medikamente dhe mjete shtesë për mjekët. Janë edhe tre shtete të fuqishme me të cilët kemi marrë dakordësi për të ofruar ndihma, por nuk po i them emrat për momentin duke ia lënë autoriteteve të shëndetësisë.