Çamët përkujtojnë 29-vjetorin e shoqatës, Idrizi: Të zbatohet rezoluta! Kemi shumë plagë të hapura me Greqinë

18 Janar 2020, 16:53

TIRANE-Shoqata Çamëria ka përkujtuar 29-vjetorin e krijimit të saj, ndërsa kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi e vuri theksin tek përpjekja që sipas tij çështja çame të njihej nga Greqia dhe si qeveria shqiptare është përpjekur të mos i japë rëndësi, genocidit ndaj komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë.

“Kur ne i kërkojmë palës Shqiptare zbatimin e Rezolutës për Çamërinë, na përgjigjet Qeveria Greke dhe idiotët e dobishëm të Athinës në Tiranë se Çamëria është e barazvlefshme me termin Vorio-Epir. Kur ne kërkojmë të ngrihet në Çamëri, një varrezë njerëzore e një përmendore kujtesë për mijëra pleq, gra e fëmijë të masakruar si në filmat horror, se ata u masakruan jo në luftë me armë në dorë po në shtëpitë e tyre me bukë në gojë, këta na përgjigjen me ngritjen e Varrezave të ushtarëve Grekë, që erdhën e u sollën si pushtues në Shqipëri, e që Grekët sot refuzojnë ti marrin në shtëpitë e tyre, por pranojnë t’i ngulin si kunja e pyka në kufijtë e Vorio-Epirit.

Kurse Greqia ngre në disa qytete përmendoren e turpit për kriminelin Napolon Zerva. Kemi kërkuar statusin e minoritet etnik shqiptar dhe statusin e 1927-ës për hapjen e shkollave shqipe,  na përgjigjen me ligjin për minoritetet, ku e nxorrën Shqipërinë me 9 minoritete. Kërkuam heqjen e diskriminimit dhe ndalimit të kalimit në kufi të të moshuarve Çamë që kanë lindur atje, na u përgjigjen me Marrëveshjen e Toponimeve me Greqinë. Marrëveshje që pikërisht këta të moshuar 78 vjeç e sipër, (se këtë moshë kanë sot ata të fundit që kanë lindur në Çamëri ), të hiqnin nga pasaportat Shqiptare vendlindjet e tyre, Filat, Margëlliç, Paramithi, Pargë, Volë, Igumenic etj, po ka turp me të madh...

Kërkuam 10 vjet me radhë heqjen e ligjit të Luftës me Greqinë, na përgjigjen Grekët pas 9 vitesh, që Po egziston, por Qeveria Shqiptare s’po e kërkon,  përkundrazi Rilindasi na kërkoi që të bëhemi lider në Ballkan, madje meqë Greqia nuk njeh as Çamërinë e as Kosovën, ta bëjmë partner Strategjik. Kërkuam mbylljen e marrëveshjeve me Greqinë për kufijtë tokësorë dhe detarë, kufij të përcaktuar nga Traktati i Firences që në vitin 1923, e që Greqia sot e kësaj dite nuk e ka ratifikuar në Parlament. Na përgjigjet Greqia që me Shqipërinë do zgjerojmë hapësirën Detare nga 6-12 milje. Ne s’na tret koha, por rritemi e shumohemi, pas sfidash e kalvaresh pa fund për të çuar Amanetin në vend, e për të qenë krenar për emrin Çam” - u shpreh Shpëtim Idrizi.