CAS 'trondit' Partizanin! Le në fuqi vendimin e FIFA-s për pezullimin e të bërit merkato, klubi: Të zhgënjyer

4 Shtator 2020, 10:10

CAS trondit Partizanin. Vendimi që pritej prej gati dy muajsh nga klubi i kuq dhe të gjithë tifozët erdhi por ishe një zhvillim “bombë”. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë nuk e ka pranuar apelimin e Partizanit dhe ka lënë në fuqi bllokimin e merkatos për dy sesionet e ardhshme. Që do të thotë se këtë verë dhe në janar të vitit 2021 Partizani nuk mund të bëjë merkato dhe trajnerit Ilir Daja i duhet të ndërtojë ekipin me futbollistët aktualë.

CAS la në fuqi vendimin e Dhomës së Zgjidhjes së konflikteve në FIFA për pezullimit e merkatos për Partizanin për parregullsi në transferimin e sulmuesit Eraldo Çinari. Në njoftimin e shpërndarë, klubi i kuq shpreh të gjithë zhgënjimin për këtë vendim të ndërmjetëm të CAS që cenon ecurinë në sezonin që pritet të nisë. Partizani bën me dije se po punon që të bëjë të mundur zhbllokimin e merkatos të paktën në sesionin e dimrit. Kjo është një goditje e rëndë për klubin kryeqytetas që duhet ta përballojë të paktën pjesën e parë të sezonit me organikën që ka në dispozicion që është shumë e cunguar. Skuadra tashmë duhet të ndërrojë objektiva.