'Çdo të thotë të jesh i martuar me burrë me ngjyrë?'/ Rrëfimi i shqiptares në SHBA: Bëja jetë të dyfishtë

22 Qershor 2020, 08:56 | Përditesimi i fundit: 2020-06-22 12:54:37

Protestat pas vdekjes së George Floyd në duart e policisë, nxorrën përsëri në pah betejën e dhimbshme për barazi racore në Shtetet e Bashkuara. Por, çdo të thotë të ndeshesh me problemet racore në një kontekst më personal – me çfarë vështirësish përballet një çift dy-racor në Amerikë? Jonida Spahija dhe bashkëshorti i saj Nnamdi Nwachukwu (Nuaçuku) ndanë përvojën e tyre me Rudina Dervishin e Zërit të Amerikës.

Jonida dhe Namdi, një çift shqiptaro-nigerian në Uashington DC, i dinë mirë vështirësitë dhe sfidat që sjell një martesë dy-racore. Marrëdhënia e tyre kaloi ditë të errëta në fillimet e saj, pasi u refuzua për një kohë të gjatë nga prindërit dhe familja e Jonidës.

U rrita në një familje tradicionale myslimane nga Shkodra. Kisha udhëzime të qarta edhe pse të pathëna qe të martohesha me dikë nga veriu dhe nga e njëjta fe. Sigurisht, nuk u nisa me synimin të gjeja dikë që do të ishte komplet e kundërta. Gjeta një njeri të mirë me të cilin ndërtova miqësi dhe filluam të dilnim që në kulturën tonë nënkupton martesën (qesh)” thotë Jonida për Zërin e Amerikës.

“Nuk më pranuan që isha partneri i saj, derisa lindi vajza. Në atë kohë kishim qenë bashkë për gati tetë vjet. Imagjinoni të jesh në një marrëdhënie ku jeton vetëm pesë minuta larg nga prindërit e bashkëshortes, për të cilët unë nuk ekzistoja”, thotë Nnamdi për Zërin e Amerikës.

Jonida thotë se iu desh të bënte një jetë të dyfishtë për një kohë të gjatë duke u përpjekur të menaxhonte veças dy gjëra shumë të shtrenjta për të, Namdin dhe familjen e saj.