Çelaj, kampioni i boksit që u shpërblye me vetëm 14 mijë lekë: Shpresoj të largohem jashtë vendit

20 Nëntor 2019, 18:45

Më 9 nëntor boksieri Klevis Çelaj nga Vlora u shpall kampion i Shqipërisë në kategorinë 52 kilogramë. Një triumf i pabesueshëm për një boksier i cili prej tetë vitesh stërvitet në kushte të mjerueshme. Siç tregon edhe ai vetë, thesi i boksit por edhe dorezat, janë dhuratë e një shoku të tij që ka një dyqan me veshje sportive në Vlorë.

“Duhen shumë kushte të cilat mungojnë, siç duket edhe në video të shtëpia, pasi të ishte ndryshe nuk dilja në televizion. Nuk di ç’të them dhe unë më shumë,”-shprehet Çelaj.

Që prej ditës së parë kur ka nisur stërvitjen Klevisi thotë se ka qenë vetëm. Në të gjithë këto vite ai nuk ka marrë mbështetje nga askush, duke filluar nga federata e deri te pushteti lokal, ndërsa lidhur me shpërblimin që mori pasi u shpall kampion 30-vjeçari shprehet:

“Ato ishin 140 mijë lekë të vjetra.”

Për dietat që i duhen një sportisti as që bëhet fjalë, por në mesin e shumë vështirësive dhe varfërisë që rrethon, Klevisi nuk humbet rastin të falenderoj të vetmin që e ka ndihmuar:

"Falenderoj presorin tim që mora këtë titull kampion se pa presorin te ai ring nuk do të isha ngjitur. Kur të gjithë të tjerët në emisione kanë bërë shou me familjen time ai më ka dhënë dorën në të gjithë këto vite."

Kampioni jeton në një shtëpi të vjetër në Vlorë me nënën, motrën dhe tezen, persona të cilët presin të ushqehen prej tij. Gjithsesi në fund ai thotë se nuk do ti ndahet ëndrrës që ka pavarësisht se shpresa e vetme është që të largohet nga vendi.