Celibashi: S'kam paraqitur një variant për fletën e votimit, por tre! Anëtarja e Komisionit Regullator: E dukshme se cilën fletë duan shqiptarët, ta marrim parasysh

30 Mars 2021, 20:05

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi është shprehur se nuk i ka paraqitur një fletë votimi të caktuar, por 3 variante

"Projekt akti i cili ka për qëllim miratimin e fletës së votimit, numri i kandidatëve në çdo qark është i ndryshëm, kemi vlerësuar që vendimmarrja të jetë e veçantë për secilin qark.

Nuk kam paraqitur një propozim konkret sesi do jetë fleta e votimit, por kam paraqitur 3 variante sipas të cilit mund të jetë fleta e votimit, në 2 prej tyre është me emër, mbiemër kandidati dhe në një variant të tretë, përmbajtja e fletës së votimit është pa emra, kandidatët janë me numrat e renditjes në lista", tha Celibashi.

Megjithatë, kjo është kundërshtuar nga Anëtarja e Komisionit Regullator, Helga Vukaj. Ajo tha se nga sondazhi në Facebook, i hapur në Facebook të KQZ, shqiptarët kanë votuar më së shumti fletën e votimit me emra.

"Më në fund erdhëm edhe te akti më i rëndësishëm, miratimi i fletës së votimit, i cili është në kompetencën e Komisionit Rregullator si akt ligjor, por në kuadrin kur propozuesi është zoti Celibashi dhe ka paraqitur 3 variante, unë kam paqartësinë e ndarjes që duhet t'i bëjmë, akti paraqitet 1 dhe i vetëm dhe prurja në 3 versione na bën të paqartë se cili është vendimi i komisionerit, ndaj ai duhet të na paraqesë 1 version. Mirëpres sondazhin në KQZ dhe është e dukshme se cilën fletë duan shqiptarët, e cila mund të na orientojë për një vendim", tha Vukaj.