Celulari mund t'iu kushtojë maturën! Rregullat e reja përjashtojnë kopjacët edhe nga vjeshta

13 Nëntor 2019, 18:06

TIRANË - Të gjithë maturantët që do t'i nënshtrohen provimeve gjatë vitit 2020, do të përballen me rregulla më të ashpra.

Maturantët që do të konstatohen me celularë gjatë provimit, do të përjashtohen nga të gjitha provimet e maturës shtetërore, dhe kanë të drejtë t'i japin ato vetëm pas një viti, duke humbur kështu mundësinë për t'i ridhënë në vjeshtë.

Nëse maturanti gjatë zhvillimit të provimit do të ndryshojë vendin që i është përcaktuar, do të përjashtohet nga provimit. E njëjta gjë do të ndodhë nëse komunikon me nxënësit e tjerë gjatë provimit.

Gjatë 2020, maturantët për të rezultuar kalues duhet të marrin jo më pak se 25% të pikëve, të përcaktuara për provim.

Por ashpërsimi i rregullave nuk do të jetë vetëm për maturantët, por dhe për administratorët. Këta të fundit nëse do të publikojnë testin, rrezikojnë të largohen nga vendi i punës.

Po ashtu, për çdo person të tretë që publikon provimet, do të kërkohet ndjekje penale nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar.

Të gjitha këtë rregulla janë miratuar në rregulloren e re të Maturës Shtetërore 2020, nga Ministrja e Arsimit, Besa Shahini.

Kujtojmë se gjatë viteve të fundit, nuk kanë munguar rastet e publikimit të tezave të provimit.