Ceremonia, kreu i PD Lulzim Basha në Shkodër, homazhe për viktimat e 2 Prilit

2 Prill 2019, 11:03 | Përditesimi i fundit: 2019-04-02 15:29:47

Janë përkujtuar në Shkodër, katër dëshmorët e rënë në masakrën e fundit komuniste në 2 prill të 1991-shit. Komunistët në ditët e fundit të tyre i zbrazën armët në Shkodër duke lënë të vrarë Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun, Besnik Cekën, të gjithë studentë në moshën 21-22 vjeçare. Në ceremoninë përkujtimore, ishte i pranishëm lideri demokrat Lulzim Basha, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, familjarë të të ndjerëve, përfaqësues të shoqatës "2 Prilli" e të tjerë.

Të pranishmit kanë vendosur lule në memorialin për nder të 4 dëshmorëve, ndërsa kësaj ceremonia i mungoi kryetari i shoqatës 2 Prilli. Brahim Bilali, një figurë e njohur në Shkodër, ish-kampion hipizmi, u nda nga jeta më 30 mars të këtij viti, tre ditë para kësaj ceremonie në të cilën do të nderonte dëshmorët, AI u vra në një atentat teksa doli nga banesa në lagjen Kiras ku mbeti i vdekur bashkë me vëllain e tij Astrit Bilali.