Çfarë hamë? Eksportet dhe agroturizmi! Çuçi për Report TV: 95% e produkteve në tregje janë shqiptare (Intervista e plotë)

21 Prill 2020, 19:53

Si e ka përballuar deri më sot situatën sektori i bujqësisë?
Besoj se në gjithë këtë situatë të vështirë sektori i bujqësisë ka qenë sektori që ka performuar më mirë. Edhe faktet dhe statistikat flasin vetë. Kemi pasur një rritje të prodhimit bujqësor dhe një rritje të ndjeshme të eksporteve të produkteve bujqësore shqiptare, qoftë gjatë këtyre 3 muajve e gjysmë të vitit 2020, qoftë edhe të periudhës së vetëkarantinimit që ka filluar nga data 9 mars e deri më sot. Pra, sektori ka performuar shumë mirë dhe ka pasur edhe rezultate shumë të kënaqshme rritjesh qoftë të prodhimit, qoftë edhe të shitjeve.

Ka pasur një problem me produktet e peshkut, që është krijuar sigurisht nga situata e mbylljes së të gjitha aktiviteteve, si restoranteve, turizmit, pra si rrjedhojë e mungesës së kërkesës nga tregu për këto produkte. Gjithsesi, tani ka një rritje të lehtë sepse kanë filluar edhe eksportet për peshkun e freskët sepse kërkohet kryesisht edhe nga Italia. Kështu që besoj se edhe ky sektor do ta marrë veten gradualisht.