Çfarë hamë? I ftuar Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi

7 Maj 2019, 10:28

Siguria ushqimore ka qenë tema kryesore që është trajtuar në emisionin "5 pyetje nga Babaramo" në Report Tv.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi përballë gazetarit Ilir Babaramo ka mohuar kategorikisht se ka fermerë apo ferma legale që i shtojnë hormone në masa ekstreme zarzavateve. Ai është shprehur se një gjë e tillë nuk ndodhë në Shqipëri, madje ka thënë se nëse denoncohet një rast i vetëm, do të japë menjëherë dorëheqjen.

Çuçi tha se fermerët shqiptarë prodhojnë të njëjtin mall si për tregun vendas ashtu edhe atë të jashtëm dhe nisur nga kjo, ministri theksoi nuk ka vend për panik dhe të ngrihen alarme të kota se "çdo gjë që hamë është helm", pasi produktet janë të kontrolluara. 

"Ka rreth 1500 hektarë sera legale në Shqipëri. Nëse ka një serë legale që e "rrit domaten brenda ditës", jap direkt dorëheqjen. Nuk jam dakord me këtë që hamë helm. Në lidhje me kualitetin e produkteve shqiptare, mund t'u them vetëm një fakt: janë eksportuar rreth 300 mijë ton produkte bujqësore dhe këto janë bërë në serat shqiptare. Në fermë nuk prodhohet këtë parcelë do e bëj për Suedinë, dhe këtë për atë shqiptarë. Nuk duhet të panikohemi dhe të ngremë alarme të kota, që të fusim konsumatorin shqiptar në panik që çdo gjë që ha është me helm. Kemi struktura që kontrollojnë. Është i njëjti produkt që hanë shqiptarët dhe ato të jashtëm. Një përrallë që domatja rritet brenda ditës. Shkoni shihni që është e njëjta pikë grumbullimi për atë që e çon ushqimin në Suedi dhe që konsumohet në Shqipëri. Nuk e mohoj që ka raste të shkëputura me % më të lartë të pesticideve nga sa është norma. Nuk duhet të krijohet perceptimi dhe përshtypja që çdo gjë është helm dhe është e pakontrolluar", tha Çuçi.