Çfarë përmban 'testi i idiotit' që pritet t'i nënshtrohen shoferët e rrezikshëm shqiptarë?! 'Sa ditëlindje kanë njerëzit...?'

18 Janar 2020, 17:36

TIRANE - Për herë të parë në Shqipëri, shoferët do t'i nënshtrohen një testi për të parë gjendjen e tyre psikologjike sa herë që efektivët e policisë konstatojnë sjellje të rrezikshme të tyre në rrugë. Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj tha dje se në rishikimin e Kodit Rrugor, do të propozohet edhe testi që në Gjermani, njihet me emrin "testi i idiotit" dhe që gjen aplikim në disa vende të Bashkimin Evropian.  

Sot Report Televizion ju sjell të detajuar këtë praktikë që policitë evropiane ushtrojnë ndaj shoferëve që ndihen 'zot' të rrugës dhe rrezikojnë edhe drejtuesit e tjerë të automjeteve.Ky që shihni në pamje është një version në gjermanisht i testit që propozohet t'i nënshtrohen edhe drejtuesit e automjeteve në Shqipëri. Testi ka 50 pyetje të nivelit elementar dhe me përfundimin e tij del edhe rezultati i përgjigjeve të dhëna që tregon me përqindje sa kapacitet mendor ka drejtuesi automjeti dhe a është i përshtatshëm për të zotëruar leje drejtimi, në të kundër do t'i hiqet patenta.

Testi përmban pyetje të këtij lloji:

Sa ditëlindje kanë njerëzit?
Disa muaj kanë 31 ditë, të tjerët 30. Sa muaj kanë 28 ditë?
Nëse shkoni në shtrat në 8 të mëngjesit ora juaj e alarmit është e vendosur për t'iu zgjuar në orën 9 të mëngjesit tuaj, sa kohë keni fjetur?

Por përse lind nevoja e këtij testi?

Në Shqipëri të shumtë janë ata shoferë që përmes dritave të gjata kthehen në kërcënim për drejtuesit e tjerë para tyre, të cilëve u kërkojnë në mënyrë presionuese t'u hapin rrugën për të ecur me shpejtësi marramendëse. Po ashtu parakalime të gabuara, mosrespektim të këmbësorëve në vijat e bardha, e shumë situata të tjera që bëhen burim aksidenti me pasoja fatale.

Vetëm në vitin 2019 ka pasur edhe nga ata shoferë të ndëshkuar me 150 gjoba, që do të thotë se ata nuk kanë reflektuar pavarësisht masave administrative të marra ndaj tyre.

Në fund të muajit shkurt pritet të detajohen të gjitha propozimet për ndryshim të Kodit Rrugor.  

G.M./Shqiptarja.com