Cili do jetë fati i opozitës parlamentare? Deputetët presin ftesa nga partitë e mëdha

26 Shkurt 2021, 15:43

TIRANË- Rastësia i dërgoi në Kuvend, por deputetët e opozitës  parlamentare kanë nisur përpjekjet për të ruajtur karrigen edhe për një mandat tjetër. Shumë prej tyre, ndonëse përgjatë muajve në parlament drejtuan gishtin e përgjegjësisë për gjendjen në vend drejt 3 partive kryesore, PS, PD, LSI, gjetën strehë në listat e tyre.

Artur Roshi u shfaq në koalicionin e udhëhequr nga Lulzim Basha ndonëse ky i fundit, deputetët e opozitës së re i quajti lodër në duart e Ramës. Edhe në listat e PS përflitet se do të jenë një numër jo i vogël i deputetëve të opozitës parlamentare.

Mbështetje për socialistët, edhe pa i siguruar një vend në lista do të ofrojë edhe opozitari Enver Roshi, i cili u fut në Kuvend nga lista e LSI. Ai thotë se ende nuk ka një ftesë për të garuar nën siglën e selisë rozë, por nuk do ta refuzonte një vend për kandidat në Elbasan.

LSI sipas Roshit, po humbet mbështetjet e mjaft socialistëve pas bashkëpunimit me PD.

"Tashmë kanë ndryshuar shumë gjëra, ikja jonë mungesa e kontakteve e një vizioni të qartë kanë bërë shumë gjëra, dhe shkëputja në fillim erdhi  e vështirë, tani s'kemi kontakte, në pozicionin që kam taNI edhe Gramshi e ka vështirë të më bashkohet. Më mirë mbetem një socialist sesa me LSI. Kanë ndryshuar shukë gjëra dhe s'mund të rikthehem pas. Përse duhen paragjykuar deputetët kur liderët i lëvizin në 24 orë tavolinat dhe pozicionet e tyre. Në kontekstin e vizionit të vetë e vendos dhe e shikon se ku mund të shkojë dhe të pozicionohet", u shpreh Roshi.