Çmimi i naftës, qytetarët nuk i bashkohen protestës së PD-së, nuk fikin makinat

15 Korrik 2019, 15:18

Qytetarët në të gjithë Shqipërinë nuk i janë përgjigjur thirrjes së shoqërisë civile, dhe më pas të mbështetur edhe nga Partia Demokratike, për të fikur automjetet në shenjë proteste, pas akuzave për rritjen e çmimit të naftës.

Edhe pse përmes rrjeteve sociale, bëhej thirrje që këtë të hënë, të fikeshin makinat nga ora 12:00 deri në 15:00,ne cdo kryqëzime e rrethrrotullim,  në shenjë proteste për uljen e cmimit të naftës në 150 lekë të reja, qytetarët kanë vijuar normalisht qarkullimin e automjeteve, duke mos u bërë pjesë e kësaj proteste.

Në kryeqytet, qarkullimi ka vazhduar normalisht dhe në asnjë moment nuk ka pasur fikje të makinave apo bllokim të qarkullimit.

Krahas Tiranës, e njëjta situatë është paraqitur edhe në qytetet më të rëndësishme të vendit

Thirrja është bërë fillimisht nga shoqëria civile, thirrje kjo e përhapur përmes rrjeteve sociale, dhe më pas e mbështetur edhe nga PD, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve pas akuzave se çmimi i naftës do të rritet me 20 lekë.

Aktualisht çmimi i naftës në Shqipëri varion nga 170 deri në 180 lekë të reja, ndërsa kohët e fundit opozita ka akuzuar se mazhoranca pritet të rrisë çmimin e naftës me 20 lekë.