Covid, ulet mosha e të infektuarve në Itali! Identikiti i rasteve të reja

16 Korrik 2020, 14:44 | Përditesimi i fundit: 2020-07-16 14:47:28

Në 30 ditët e fundit në Itali është ulur ndjeshëm mosha e të infektuarve të rinj me Covid-19, gjë që ka hedhur poshtë idenë që të rinjtë janë "imunë" nga koronavirusi, dhe të vetmit në rrezik janë të moshuarit dhe ata me sëmundje të tjera të mbartura. Ndërsa po vazhdon ende pandemia, identikiti i pacientit COVID gjithashtu ka ndryshuar, ata janë shumë më të rinj krahasuar me disa muaj më parë.

Sipas të dhënave të raportuara nga Instituti i Lartë i Shëndetit, i azhornuar më 14 korrik, mosha mesatare e personave që janë të infektuar me virusin COVID ka rënë në mënyrë dramatike, nga mbi 60 vjeç, në momentet e fillimit të pandemisë, në 46 vjeç në ditët e tanishme.

Nga të dhënat duket qartë se në muajin e fundit, më shumë se gjysma e të infektuarve të rinj (57.6% e totalit) janë nën moshën 50 vjeç, ndërsa shifrat e përgjithshme që nga fillimi i pandemisë tregonin vetëm 31.4% . Fasha moshore që ka pësuar pikun më të madh është ajo midis 19-50 vjeç, e ndjekur nga ajo e më të rinjve (0-18 vjeç). Në muajin e fundit, vetëm 18% e të rinjve të infektuar ishin të moshës mbi 70 vjeç, duke përgjysmuar kështu përqindjen në krahasim me fillimin e emergjencës shëndetësore.

Sidoqoftë, Instituti i Lartë i Shëndetit në Itali thotë se shumica e të rinjve janë asimptomatikë, sidomos ata që i përkasin grupmoshës 7-29 vjeç, por potencialisht infektues dhe të rrezikuar të përfundojnë të ospitalizuar

Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i ‘Yale’ në Shtetet e Bashkuara, kërcënimi i ri i koronavirusit është nga asimptomatikë që janë përgjegjës për gjysmën e infeksioneve në mbarë botën.