Covid-19, 120 mijë viktima në botë. Më shumë se 10 000 vdekje në Nju Jork. Europa nis gradualisht zbutjen e masave

14 Prill 2020, 14:35

Numri global i vdekjeve nga koronavirusi është afër 120 mijë, kurse numri i rasteve pozitive ka tejkaluar shifrën e 1 milion e 920 mijë.

Në SHBA në ditën e fundit janë regjistruar 1.509 vdekje të tjera, duke rritur numrin e viktimave në 23 650, më shumë se në çdo vend tjetër për një total të prekurish nga infeksioni prej 583 mijë raste.

Ndërsa numri i viktimave në shtetin e Nju Jorkut ka shkuar në mbi 10 000 dhe numërohen rreth 195 mijë të infektuar, Guvernatori i shtetit Cuomo tha se më e keqja ka kaluar por rihapja e shkollave dhe veprimtarive prodhuese do të jenë graduale, duke shtuar gjithashtu se "secili plan do të bazohet në mendimet e studiuesve dhe jo të politikanëve."

Ai tha gjithashtu se Covid-19 mund të konsiderohet i mposhtur vetëm kur vaksina të jetë e  disponueshme për të gjithë.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se "Ekzistojnë prova të qarta që strategjia për të ngadalësuar pandeminë e koronavirusit po funksionon".