COVID-19/ 55 % e kredisë sovrane 2 nuk u përdor! Norma 5% e interesit 'trembi' bizneset

11 Tetor 2020, 17:49

TIRANË- Bizneset dhe individët përfituan 206 mln euro nga paketat e qeverisë! Mbi 55% e fondit të garancive sovrane nuk u përdor. Më shumë se gjysma e fondit për garancinë e dytë sovrane nuk është shfrytëzuar për shkak të interesit të lartë. Garancia e dytë u miratua më 13 maj, nga këshilli i ministrave në vlerën e 15 miliardë lekëve, por si pasojë e interesit 5% dhe kushteve që duhet të plotësoheshin ajo nuk u përdor shumë nga sipërmarrja, edhe pse ishte për investime.

Ndërsa garancia e parë sovrane e miratuar në 6 prill në vlerën e 11 miliardë lekëve me fokus tek mbajtja në punë e punonjësve, gjeti më shumë përdorim. Me këtë paketë që erdhi një muaj pas shfaqjes së rastit të parë me COVID-19 në vend iu dha mundësia subjekteve që të merrnin kredi pa normë interesi deri në 3 paga për punonjësit, ku shteti dilte garant 100%.