COVID-19, ASH: Shqipëria dhe bullgaria më pak vdekje, statistikat, 9 e 8 humbje për një milion banorë

26 Prill 2020, 20:13

Shqipëria dhe Bullgaria janë dy vende me numrin më të ulët të humbjeve njerëzore në Europë nga COVID-19 në raport me numrin e popullsisë 9 e 8 humbje për një milion banorë. Treguesit më të rëndësishëm të gjendjes së pandemisë, kontrollit dhe përballimit të saj në përgjithësi në Shqipëri u dëshmuan sipas pritshmërive optimiste. Përmes një buletini të publikuar në Relacionin e E-group-it ndërdisiplinar “Në ndjekje të pandemisë” nga Akademia e Shkencave tregohet sesi pandemia COVID-19 është zhvilluar në vende të ndryshme të globit.

Europa shënjoi numrin më të ulët të shtimit të të sëmurëve në ditë deri më sot, si dhe të jetëve të humbura në një ditë: 380 veta më pak se një ditë më parë. Në Shqipëri treguesi i vdekshmërisë ka zbritur në 3.8 për qind. Ky tregues në shumë vende europiane varion nga nën 1 për qind në Islandë deri në mbi 13 për qind në Belgjikë, Itali dhe Francë. Në rajonin tonë vdekshmëria për shkak të pandemisë COVID-19 luhatet nga nën 2 për qind në Serbi dhe Mal të Zi, deri në mbi 5 për qind në Slloveni e Greqi.